Në jug të Serbisë, pranë Bujanocit ushtria e Serbisë i nisi stërvitjet.
E bashkë me të, edhe trupat e NATO-së.
E gjitha kjo nën organizimin e Komandës së Forcave Tokësore dhe Komandës së Forcave të Përbashkëta nga Napoli.
Por, krejt këtë po e sheh si pozitive ish-komandanti i ushtrisë së Kosovës, Kadri Kastrati.
“Nëse e largon nga ai kursi që Serbia është me Rusinë dhe Kinën dhe e afron më tepër nga NATO-ja, do të jetë mirë edhe për NATO-n edhe për rajonin dhe do ta ndryshojë atë qasjen armiqësore që Serbia e ka deri më tani. Unë e shoh pozitive çdo ushtrim apo përafrim i NATO-s me Serbinë, sepse e largon Rusinë dhe Kinën”, shprehet ai.
E sipas kolonelit në pension të FSK-së, me këto veprime Serbia po tenton të luaj me dy karta.
“Kjo është e gjitha e një politike që zhvillohet në Ballkanin në përgjithësi nga ana e Perëndimit, po ashtu edhe tentativat e Serbisë për të fituar sa më shumë që është e mundur prej kësaj situate. Mirëpo sido që të vejnë punët, Serbia më në fund do të detyrohet se do ta kuptojë që më nuk mundet në pafundësi të ulet në dy tri ulëse, por duhet të përcaktohet se në cilën ulëse do të ulet”, vlerëson Gecaj.
Por, megjithkëtë, ish-ushtarakët thonë se Kosova mund të hyjë në NATO, para shtetit serb.–
“Unë mendoj që Kosova do të hyjë në NATO para Serbisë sepse është synim, ne kemi deklaruar aspiratat tona. Unë mendoj që 2027 kur do të mbahet Samiti në Shqipëri aty pres që do të jetë një ftesë e hapur publike e NATO-s për Kosovën që të anëtarësohet dhe në 2028 ne do t’i kompletojmë kapacitetet operacionale, Forca jonë operacionale do të jetë e gatshme që të kryejë të gjitha detyrimet”, thotë Kadri Kastrati.
Ndryshe, stërvitje të njëjta pati edhe në vitin 2023 dhe 2025 mes SHBA-së e ushtrisë serbe me vende tjera anëtare të NATO-s.
Përveç këtyre, ajo ka zhvilluar stërvitje dhjetë ditore edhe me ushtrinë kineze në korrikun e vitit 2025, për çka ishte kritikuar edhe nga Brukseli.
Këto ushtrime përfundojnë me 23 maj në bazën ushtarake “Jugu”, ndërsa pjesëmarrës janë 600 pjesëtarë të ushtrisë serbe dhe forcave të armatosura të Italisë, Rumanisë, Turqisë si dhe planifikues e vëzhgues nga Britania e Madhe, Gjermania e Shtetet e Bashkuara.
