Aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, USS Gerald R. Ford, ka mbërritur në Kroaci pas një misioni të gjatë në Lindjen e Mesme, duke lënë pas një rol kyç në operacionet ushtarake në rajon.
USS Gerald R. Ford, aeroplanmbajtësja më e madhe në botë që ka qenë pjesë e operacioneve në luftën në Lindjen e Mesme, mbërriti të shtunën në qytetin kroat të Splitit, sipas një deklarate të ambasadës amerikane.
Gazetarët e AFP-së panë anijen duke mbërritur në mëngjesin e së shtunës, teksa i drejtohej portit, ndërsa ambasada theksoi se kjo ishte pjesë e një “vizite të planifikuar dhe mirëmbajtjeje”.
Aeroplanmbajtësja u largua më herët këtë javë nga një bazë detare në Kretë, pasi ishte rikthyer aty pas një zjarri në bord që plagosi dy anëtarë të ekuipazhit.
“Gjatë vizitës, USS Gerald R. Ford do të presë zyrtarë vendas dhe drejtues të rëndësishëm për të theksuar aleancën e fortë dhe të qëndrueshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Kroacisë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një fushatë të gjerë ajrore kundër Iranit në fund të shkurtit, pas një përforcimi të madh ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme, ku përfshihej edhe kjo aeroplanmbajtëse, së bashku me një tjetër, Abraham Lincoln.
Të dyja anijet, të pajisura me dhjetëra avionë luftarakë, kanë luajtur rol kyç në operacionet kundër Iranit dhe largimi i Ford krijon një boshllëk për forcat amerikane në rajon.
USS Gerald R. Ford ka qenë në det për afro nëntë muaj, duke marrë pjesë edhe në operacione të SHBA-së në Karaibe, ku janë goditur anije të dyshuara për trafik droge, janë ndaluar cisterna të sanksionuara dhe janë ndërmarrë veprime ndaj liderit venezuelian Nicolas Maduro.
Më 12 mars, një zjarr shpërtheu në një dhomë lavanderie në bord, duke plagosur dy marinarë dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
