LifeStyle

Vajza kujdes! Specialisti zbulon rreziqet që ju kanosen nga aparatura për tharjen e thonjve

Pajisjet tharëse të manikyrit të thonjve, mund të shkaktojnë mutacione që shkaktojnë kancer të lëkurës dhe të ndryshojnë ADN-në. Në këtë përfundim ka arritur një studim i fundit i publikuar në “Nature Communications” nga studiuesit e Universitetit të Kalifornisë së San Diego.

Ata zbuluan se përdorimi i këtyre pajisjeve që lëshojnë rreze ultravjollcë (UV) mund të çojë në vdekjen e qelizave dhe mutacione që shkaktojnë kancer në qelizat njerëzore.

“Nëse shikoni mënyrën se si janë paraqitur këto pajisje, ato tregtohen si të sigurta, pa asgjë për t’u shqetësuar. Por askush nuk i ka studiuar këto pajisje dhe se si ato ndikojnë në qelizat njerëzore në nivelet molekulare dhe qelizore deri më tani”, tha Ludmil Alexandrov, profesor i bioinxhinierisë, mjekësisë celulare dhe molekulare në UC San Diego dhe autor i studimit.

Duke përdorur tre linja të ndryshme qelizore, keratinocitet e lëkurës së njeriut të rritur, fibroblaste njerëzore dhe fibroblaste embrionale të miut, studiuesit zbuluan se përdorimi i këtyre pajisjeve të pranishme në sallonet e bukurisë, që emetojnë UV për vetëm një seancë 20-minutëshe çoi në vdekjen e qelizave midis 20 dhe 30 për qind. Ndërsa tre ekspozimet e njëpasnjëshme prej 20 minutash shkaktuan vdekjen e 65-70 përqind të qelizave të ekspozuara.

Ekspozimi ndaj dritës UV gjithashtu shkaktoi dëmtime mitokondriale dhe të ADN-së në qelizat e mbetura dhe rezultoi në mutacione me modele që mund të vërehen në kancerin e lëkurës tek njerëzit.

“Ne pamë shumë gjëra. Së pari, pamë se ADN-ja dëmtohet. Pamë gjithashtu se disa nga dëmtimet e ADN-së nuk riparohen me kalimin e kohës dhe kjo çon në mutacione pas çdo ekspozimi me një tharëse thonjsh me xhel UV. Së fundi, pamë se ekspozimi mund të shkaktojë mosfunksionim mitokondrial, i cili gjithashtu mund të rezultojë në mutacione shtesë. Ne pamë pacientët me kancer të lëkurës dhe shohim ekzaktësisht të njëjtat modele të mutacioneve në këta pacientë që u panë në qelizat e rrezatuara”, tha Alexandrov.

Ndërsa rezultatet tregojnë efektet e dëmshme të përdorimit të këtyre pajisjeve në qelizat njerëzore, studiuesit paralajmërojnë se duhet një studim afatgjatë epidemiologjik përpara se të thuhet përfundimisht se përdorimi i këtyre makinave çon në një rrezik të shtuar të kancerit të lëkurës. Por rezultatet e studimit ishin të qarta: Përdorimi kronik i këtyre makinave për tharjen e manikyrit është i dëmshëm për qelizat njerëzore.