ShowBizzz

“Vajza më pyeti pse po flasin për ty”, Aktorja shqiptare flet për videon intime: “Figura ime…”

Aktorja Julia Ilirjani ka reaguar për herë të parë pasi emri i saj u përmend mes aludimeve që kanë shoqëruar videot intime të shpërndara ditët e fundit në rrjetet sociale.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Top Story”, Ilirjani shprehu keqardhjen për gratë e përfshira në këtë histori, ndërsa u ndal veçanërisht te mënyra se si janë realizuar dhe më pas kanë përfunduar në publik materiale të tilla private.

“Më vjen shumë keq që ka njerëz që u prishin karrierën njerëzve që kanë punuar prej vitesh e vitesh. E kuptoj që kur je person publik do jesh në vëmendje si për mirë, si për keq”, u shpreh aktorja.

Megjithatë, ajo tha se një prej elementeve që e ka shqetësuar më tepër është pikërisht filmimi i momenteve intime dhe pikëpyetjet se kush qëndron pas kamerës.

“Por më shumë se me çfarë u ka ndodhur atyre zonjave, jam edhe më e shokuar për atë që ka xhiruar. Nëse e ka bërë vetë është edhe më e tmerrshme dhe, nëse ia kanë vënë kamerën, është po prapë e tmerrshme”, deklaroi Ilirjani.

Gjatë intervistës, aktorja konfirmoi se kishte mësuar se edhe emri i saj po përmendej në rrjet në lidhje me videot. Situata kishte arritur deri te vajza e saj, e cila e kishte pyetur drejtpërdrejt për atë që po qarkullonte.

“Dëgjova që ishte lakuar edhe emri im. Filluan të më dërgonin disa SMS në Instagram njerëz me zero follow, pastaj ime bijë më tha: ‘Çfarë është kjo, pse po flasin për ty?’”, tregoi ajo.

Përgjigjja e Ilirjanit ndaj së bijës ishte e prerë: “Rri e qetë, figura ime nuk është aty”.

Me këtë deklaratë, aktorja mohon se shfaqet në materialet që po qarkullojnë, ndërsa njëkohësisht kërkon që vëmendja të mos përqendrohet vetëm te personazhet e përfolur, por edhe te mënyra se si janë realizuar dhe shpërndarë videot private.

Të Ngjashme