Një fëmijë ka vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë, si pasojë e të shtënave në një shkollë në Finlandë.
Ministria e Punëve të Jashtme, ka njoftuar se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova.
Në njoftim bëhet e ditur se MPJD-ja, përmes ambasadës së Kosovës në Stokholm është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet finlandeze dhe me familjen e vajzës së plagosur.
“Në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin Vanta, respektivisht shkollën Viertola, ku u vra një person dhe dy të tjerë u plagosën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm ka arritur që të konfirmojë nga familjarët se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sipas zytarëve policorë, të plagosurit janë të moshës 12-vjeçare, ashtu sikurse i dyshuari, i cili fillimisht ka ikur, por më pas është ndaluar nga autoritetet.
Prindërit u kanë thënë mediave finlandeze se të shtënat kanë ndodhur në një klasë në shkollën Viertola në Vantaa, në veri të kryeqytetit Helsinki.
Finlanda është përballur me incidente të tilla edhe në të kaluarën.
Më 2007, Pekka-Eric Auvinen i vrau shtatë nxënës, infermieren e shkollës, drejtorin dhe veten me një pushkë dore në shkollën e mesme “Jokela”, afër Helsinkit.
Një vit më vonë, më 2008, Matti Saari, një tjetër student, shtiu me armë në një shkollë profesionale në veriperëndim të Finlandës. Ai i vrau nëntë studentë, një anëtar të stafit të shkollës dhe pastaj veten.
Finlanda e ka ashpërsuar ligjin për armëmbajtjen më 2010. Ajo e ndryshoi edhe moshën e lejuar për armëmbajtje, nga 18 në 20-vjeç./Telegrafi/