Një vaksinë kundër herpesit mund të ndihmojë të moshuarit të jetojnë më gjatë, sipas një studimi të ri amerikan. Përveçse mbron nga kjo sëmundje e dhimbshme, vaksina duket se kontribuon në ngadalësimin e plakjes biologjike te të moshuarit.
Studiuesit analizuan të dhëna nga U.S. Health and Retirement Study për mbi 3,800 pjesëmarrës mbi moshën 70 vjeç. Rezultatet treguan se të moshuarit e vaksinuar kishin plakje biologjike më të ngadaltë krahasuar me të pavaksinuarit, edhe pasi u morën parasysh faktorë të tjerë shëndetësorë dhe demografikë.
Herpes zosterështë një skuqje e dhimbshme me puçrra e shkaktuar nga virus i variçelës që riaktivizohet. Rreziku rritet pas moshës 50 vjeç, sidomos tek personat me imunitet të dobësuar. Vaksina jo vetëm parandalon herpesin, por redukton edhe dhimbjen e gjatë pas infeksionit, të njohur si neuralgjia postherpetike.
Studimi, i udhëhequr nga profesor Jung Ki Kim dhe profesoreshë Eileen Crimmins nga Universiteti i Kalifornisë Jugore, mat disa aspekte të plakjes biologjike, duke përfshirë inflamacionin, imunitetin, qarkullimin e gjakut, neurodegjenerimin dhe plakjen epigjenetike. Një indeks i kombinuar tregoi se të vaksinuarit kishin inflamacion më të ulët, ngadalësim të plakjes epigjenetike dhe rezultate më të mira në përgjithësi.
Kim theksoi se inflamacioni kronik kontribuon në shumë sëmundje të lidhura me moshën, përfshirë sëmundjet e zemrës dhe rënien kognitive. Vaksina mund të ndihmojë në zvogëlimin e këtij inflamacioni dhe të mbështesë plakje më të shëndetshme. Përfitimet mund të jenë edhe afatgjata: ata që morën vaksinën katër vjet ose më shumë para analizave të gjakut ende treguan plakje biologjike më të ngadaltë.
Crimmins shtoi se rezultatet tregojnë ndikimin e vaksinës në fusha kyçe të plakjes dhe nënvizuan potencialin e vaksinimit si pjesë e strategjive për plakje të shëndetshme, përtej parandalimit të sëmundjeve të rënda. / Talker News – Syri.net
