Një vaksinë eksperimentale kundër kancerit të lëkurës e zhvilluar nga kompanitë farmaceutike Moderna dhe Merck, tregon rezultate premtuese pas një ndjekjeje pesëvjeçare në provat klinike.
Gjetjet tregojnë efekte të forta dhe të qëndrueshme antitumorale dhe përfitime për të mbijetuar, për pacientët me melanomë të avancuar.
Terapia, aktualisht në fazën 2 të provës klinike, kombinon teknologjinë e personalizuar të ARNi-së m të Moderna-s, intismeran autogene, me ilaçin imunoterapik Keytruda të Merck.
Së bashku, trajtimet ulën rrezikun e përsëritjes së kancerit ose vdekjes me 49 përqind tek pacientët me melanomë me rrezik të lartë që i ishin nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, krahasuar me trajtimin vetëm me Keytruda.
“Ne vazhdojmë të investojmë në platformën tonë në onkologji për shkak të rezultateve inkurajuese si këto, të cilat ilustrojnë potencialin e ARN-së në kujdesin ndaj kancerit”, tha Kyle Holen, nënkryetar i lartë i Moderna-s.
ARNi funksionon duke trajnuar qelizat imune për të dalluar shënjues unikë të kancerit, ndërsa Keytruda bllokon proteinat PD-1 që tumoret përdorin për t’u fshehur nga qelizat imune. Kjo u mundëson qelizave T, të cilat luajnë një rol qendror në përgjigjen imune, të sulmojnë tumoret në mënyrë më efikase.
Moderna dhe Merck tani po presin rezultatet nga faza e tretë e provës klinike, faza e fundit e testimit, për të konfirmuar përfitimet e terapisë në një numër më të madh pacientësh.
Terapia e re synon melanomën me rrezik të lartë, një formë agresive e kancerit të lëkurës që mund të përhapet edhe pas heqjes kirurgjikale.
Melanoma, lloji më serioz i kancerit të lëkurës, karakterizohet nga rritja e pakontrolluar e qelizave që prodhojnë melaninë.
Shkalla e melanomës është rritur gjatë dekadave të fundit, me më shumë se 330,000 raste të reja të diagnostikuara në të gjithë botën në vitin 2022.
Melanoma me rrezik të lartë prek rreth 15,700 pacientë të rinj çdo vit në të gjithë Bashkimin Evropian, që përfaqëson 15 përqind të të gjitha rasteve të melanomës, që zakonisht ndodh në fazat tre dhe katër.
Vaksina të ngjashme me mRNA për melanomën me rrezik të lartë po zhvillohen nga BioNTech dhe Roche, të gjitha në fazën e provave të hershme klinike.
Moderna dhe Merck po testojnë gjithashtu të njëjtën teknologji në prova që synojnë kancerin e mushkërive me qeliza jo të vogla, karcinomën e fshikëzës dhe karcinomën e qelizave renale, lloji më i zakonshëm i kancerit të veshkave./ Euronews.


