Një nga vaksinat që shpesh ngatërrohet nga prindërit është ajo e njohur si HPV. Në fakt, bëhet fjalë për vaksinën kundër papillomavirusit human (HPV), një nga vaksinat më të rëndësishme të shekullit XXI, që parandalon një sërë sëmundjesh serioze.
Çfarë është vaksina HPV?
HPV është një virus shumë i përhapur që transmetohet kryesisht seksualisht dhe që mund të shkaktojë lytha gjenitale, por mbi të gjitha lidhet ngushtë me disa lloje kanceresh (kanceri i qafës së mitrës, penisi, anusi, goja dhe fytit). Vaksina HPV është krijuar për të mbrojtur nga variantet më të rrezikshme të këtij virusi.
Pse u duhet djemve?
Për një kohë të gjatë vaksina është lidhur vetëm me vajzat, pasi mbron nga kanceri i qafës së mitrës. Por sot mjekët theksojnë se edhe djemtë kanë të njëjtën nevojë:
• Virusi prek edhe meshkujt, duke shkaktuar kancer në penis, anus dhe fyt.
• Duke u vaksinuar, djemtë mbrojnë edhe partneret e tyre, pasi nuk e transmetojnë virusin.
• Më pak infeksione, më pak kancere dhe një shëndet më i fortë në të ardhmen.
Kur duhet bërë vaksina?
– Rekomandohet për vajza dhe djem të moshës 9–14 vjeç, kur sistemi imunitar krijon mbrojtjen më të fortë.
– Mund të bëhet deri në moshën 26 vjeç, dhe në disa raste deri në 45 vjeç, sipas këshillës së mjekut.
– Sa më herët të bëhet, aq më efektive është.
