Lajme

‘Varkë prej letre’ për të shpëtuar veten? Analistët: Rama po e rehabiliton Vuçiqin në dëm të Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiç, në të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitun kanë propozuar një  qasje të re për Ballkanin Perëndimor,  jo vetëm anëtarësim i plotë, por integrim në tregun e përbashkët dhe zonën Shengen.

Ata nënvizojnë se rajoni duhet të shohë një proces të besueshëm dhe të arritshëm, dhe se tensioni mes pritshmërive të vendeve kandidate dhe interesave të BE-së mund të kthehet në një mundësi strategjike për të gjithë.

Kjo letër e përbashkët e Ramës dhe Vuqiçit nuk është pritur aspak mirë në opinionin publik në hapësirat shqiptare.

Analistët kritikojnë ashpër qasjen e përbashkët Shqipëri–Serbi për integrimin në BE, siç u promovua në editorialin e Ramës dhe Vuqiçit, duke e cilësuar atë si një manovër propagandistike që nuk respekton interesat e Kosovës.

Ata shtojnë se tentimi i Ramës për të rehabilituar Vuqiçin, një lider që shpesh ka treguar qëndrime anti-evropiane, shihet si një përpjekje për të mbrojtur pozitat personale politike, në dëm të shqiptarëve dhe të Kosovës.

Sipas analistëve, mungesa e reagimeve të forta ndaj Serbisë rrezikon të legjitimojë ambiciet e Beogradit dhe të minojë mundësitë reale për një integrim të drejtë dhe të barabartë të rajonit në BE.

Shahu kritikon letrën Rama–Vuçiç: “Varkë prej letre për të shpëtuar veten”

Analisti politik, Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot” ka kritikuar letrën e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuqiçit të botuar në gazetën gjermane, duke thënë se është një “varkë prej letre” e Ramës për t’u shpëtuar presionit dhe mashtrimeve ndaj popullit shqiptar.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, Rama përpiqet të rehabilitojë Vuqiçin në dëm të Kosovës dhe, me stilin e tij demagogjik, tenton të mashtrojë Europën dhe BE-në, duke paraqitur një anëtarësim në BE vetëm për propagandë dhe jo me dinjitet.

“Letra e dyshes Edi Rama e Vuqiç në gazeten gjermane është varkë prej letre e Edi Ramës për të shpëtuar prej dallgëve të presionit e të mashtrimeve të veta që i ka bërë popullit shqiptar për ta futë në BE. Ndërkohë pa pyetur për Kosoven ai kërkon të shpëtojë Vuqiçin e Serbinë të rehabilitojë Vuqiçin në dëm të Kosovës. Duke rehabilituar Vuqiçin Kosova mbetet e ndëshkuar.

Edi Rama në stilin e tij të mashtrimeve e demagogjisë ndaj popullit shqiptar që ia ka marre votën 4 herë me mashtrime mendon të mashtrojë Europën, BE dhe qytetaret shqiptare sikur po i fut në BE veç për propagandë e mashtrime pa të drejtë vote, jo me dinjitet si anëtaret e tjerë të BE”, ka thënë ai.

Tutje, Shahu ka theksuar se Rama dhe Vuqiçi, po mendojnë vetëm për mbijetesën e tyre, jo për shqiptarët e serbët, dhe nuk i japin rëndësi Kosovës.

 “Në të njejtën anije letre është edhe Vuqiç që ia ka vështirësuar të ardhmen serbëve të thjeshtë me kasten e tij. Vuqiç me Ramën kanë hallin e mbijetesës se tyre jo të shqiptarëve e serbeve e as që pyesin për Kosovën edhe pse shumë njerëz në Kosovë e duartrokasin Edi Ramën  si udheheqës të madh edhe pse ai i shpërfill udheheqësit e Kosovës dhe e mendon veten si mbret të gjithë shqiptarëve.

Me këtë leter inferioriteti Rama e Vuciq duan të shpëtojnë veten duke nënshkruar se shqiptarët e serbët janë popuj inferiore jo meritore për në BE kur në fakt Rama e Vuçiq janë fatkeqësive për dy popujt shqiptarët e serbët.  Duke poshtruar popujt e shteteve të tyre ata nuk e përfillin Kosovën”, ka nënvizuar ai.

Shahu ka përmbyllur duke thënë se sa të jenë në pushtet Rama e Vuqiç me mendësitë e tyre, anëtarësimi i shqiptarëve e serbëve në BE mbetet i vështirë.

Sipas tij, shkrimi i tyre nuk tronditi opinionin dhe këta dy autokrate ballkanas nuk merren seriozisht, duke bllokuar të ardhmen e shteteve të tyre.

Sa të jenë në pushtet Rama e Vuqiç me mendesitë e tyre, vështirë që të ketë anëtaresim në BE për shqiptarët e serbët.

Fatkeqësisht shkrimi i Ramës e Vuçiqit nuk tronditi opinionin. Duket nuk i llogarit askush seriozisht këta dy autokratë ballkanas që kanë bllokuar të ardhmen e shteteve të tyre”, ka përmbyllur Shahu.

Duhanaj: Serbia nuk mund të bëhet pjesë e BE-së para Kosovës

 Kurse, Leon Duhanaj ka shpjeguar se integrimi europian i Ballkanit Perëndimor mund të ndodhë në dy mënyra: Ose në paketë për të gjithë vendet, duke përfshirë Kosovën, ose sipas plotësimit të kushteve individuale.

Ai ka vënë në dukje se Shqipëria po avancon bindshëm, ndërsa Serbia ka stagnuar.

“Kur flasim për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, duhet ta kemi parasysh një gjë. Integrimi mund të ndodhë në dy mënyra:

Image
Leon Duhanaj

Varianti i parë është që të ndodhë në paketë, me ç’rast do të integroheshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën. Kjo pasi që integrimi është një proces politik dhe, si i tillë, në bazë të rrethanave të favorshme, mund të merret si vendim politik.

Varianti i dytë është integrimi sipas plotësimit të kushteve, gjë që është më i afërt dhe më i mundshëm.

Në këtë formë, Shqipëria është duke avancuar bindshëm, ndërsa Serbia ka stagnuar shumë”, ka thënë ai.

Po ashtu, Duhanaj ka deklaruar se Serbia nuk mund të integrohet në BE para Kosovës, pasi vetos së saj do t’i jepte mundësi të bllokonte Kosovën, gjë që nuk do të pranohej nga shtetet e BE-së.

Ai ka kritikuar veton si një problem të madh të unionit dhe përmendi idenë e krijimit të një “bërthame” të re të BE-së që vendimet të merren me shumicë.

“Unë nuk besoj që mund të ndodhë që Serbia të bëhet pjesë e BE-së para Kosovës. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë ajo nuk do të duhej të kishte të drejtën e vetos, përndryshe do ta bllokonte integrimin e Kosovës, gjë që nuk mund të imagjinohet që shtetet e Unionit Europian ta bëjnë një gabim të tillë.

Kur flasim për veton, ajo është një e metë e madhe e këtij unioni dhe ka lëvizje që ajo të eliminohet. Madje ka ide që të krijohet një bërthamë e re e Unionit Europian, pikërisht nga vendet themeluese të këtij unioni, ku do të merret nismë heqja e vetos dhe vendosja e vendimmarrjes mbi parimin e shumicës”, ka shtuar ai.

Në fund, Duhanaj ka thënë se Hungaria dhe Sllovakia po pengojnë vendimmarrjen e BE-së duke vepruar si satelitë të Rusisë, ndaj integrimi i plotë me të njëjtat të drejta është i vështirë.

Ai ka vlerësuar se idetë e Kryeministrit Rama për mbështetje rajonale, duke theksuar se një integrim në paketë do të ishte historik për shqiptarët dhe gjithë rajonin.

“Këtë nevojë e ka intensifikuar edhe qasja destruktive e Hungarisë dhe Sllovakisë, të cilat po e paralizojnë vendimmarrjen duke luajtur rolin e satelitit të Rusisë.

Bazuar mbi këto mësime, nuk besoj që do të ketë anëtarësim me të njëjtat të drejta.

Kryeministri Rama e di këtë dhe prandaj vjen me ide të tilla, duke kërkuar mbështetje për to.

Një vendim i tillë, sidomos një integrim në paketë, do të ishte shumë i mirëseardhur jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë rajonin.

Shqiptarët do të bashkoheshin brenda këtij unioni, gjë që do të ishte akt historik”, ka përfunduar Duhanaj.

Të Ngjashme