Lajme

Vazhdojnë protestat në Turqi, Erdogan kërcënon pjesëmarrësit

Opozita në Turqi po qëndron në shesh. Mijëra njerëz morën pjesë në një tubim në Stamboll të organizuar nga Partia Popullore Republikane kundër arrestimit të kryebashkiakut të qytetit Ekrem Imamoglu. Politikani është rivali kryesor politik i Presidentit, Recep Tajip Erdogan.

Imamoglu, i cili kryeson ndaj Erdogan në disa sondazhe, u burgos në pritje të gjyqit mbi akuzat për korrupsion të dielën që shkoi, duke nxitur protestat më të mëdha antiqeveritare në më shumë se një dekadë, të cilat kanë çuar në arrestime masive në mbarë vendin. Presidenti i vendit nuk ka dhënë sinjale për të dëgjuar zërin e manifestuesve, por u zotua të shtypte çdo përpjekje, siç tha ai, për prishjen e qetësisë publike.

“Për një javë, ata kanë bërë gjithçka për të mbuluar korrupsionin, për të fshehur vjedhjet, për të fshehur grabitjen dhe për të mbrojtur mashtrimin. Me pretekstin e kërkimit të drejtësisë, ata tentuan një provokim shumë të rrezikshëm që nuk kishte të bënte me demokracinë, ligjin apo mjetet legjitime të kërkimit të drejtësisë. Megjithatë, falë qëndrimit të ftohtë dhe të vendosur të policisë sonë, qëndrimit të arsyeshëm të kombit tonë dhe qëndrimit të qetë të të rinjve tanë që ruajtën dinjitetin e tyre edhe pse iu nënshtruan provokimit, nuk arritën dot politikën e bullizmit. Sigurisht që ne nuk do të mbyllim sytë ndaj prishjes së rendit publik gjatë këtij procesi. Njësitë tona të sigurisë do të ndërmarrin veprimet e nevojshme kundër kujtdo që mbulon fytyrën, sulmon policinë apo ngacmon njerëzit tanë ndërsa ata janë duke bërë detyrën e tyre”, tha Erdogan .

TS Poll - Loading poll ...

Partia Popullore Republikane, por edhe forca të tjera opozitare, grupe të të drejtave të njeriut dhe fuqitë perëndimore kanë theksuar të gjithë se rasti kundër Imamoglu është një përpjekje e politizuar për të eliminuar një kërcënim të mundshëm elektoral ndaj Erdoganit. Qeveria mohon çdo ndikim mbi gjyqësorin dhe thotë se gjykatat janë të pavarura. (A2 Televizion)