Shëndetësi

Vdekjet gjatë shtatzënisë dhe lindjes ranë ndjeshëm në mbarë botën. Çfarë fshihet pas kësaj rënieje?

Një analizë e re globale ka zbuluar se qasja në kontraceptivë, parandalon mijëra vdekje gjatë shtatzënisë dhe lindjes çdo vit.

Globalisht, vdekjet e nënave – vdekjet që lidhen me shtatzëninë gjatë shtatzënisë, lindjes ose deri në gjashtë javë pas lindjes – janë kryesisht për shkak të hemorragjisë pas lindjes, problemeve shëndetësore që rrjedhin nga presioni i lartë i gjakut, sepsa, bllokimet e enëve të gjakut, komplikimet e abortit ose lindja e penguar, që ndodh kur fetusi është fizikisht i paaftë të kalojë nëpër kanalin e lindjes.

Por vdekshmëria e nënave ra me 41 përqind midis viteve 2000 dhe 2023, nga rreth 443,000 në 260,000.

Studiues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe universitete kryesore analizuan të dhëna nga 195 vende dhe territore për të identifikuar se çfarë e shkaktoi saktësisht këtë reduktim.

Ata zbuluan se 61.2 përqind e rënies mund të shpjegohet me përmirësime në kujdesin ndaj maternitetit, siç është lindja e fëmijës me punonjës shëndetësorë të kualifikuar dhe mbështetje më e mirë pas lindjes.

Një tjetër 38.8 përqind ishte për shkak të “reduktimit të fertilitetit”, duke përfshirë përdorimin e kontraceptivëve dhe abortet më të sigurta.

Përdorimi i vetëm i kontraceptivëve parandaloi rreth 77,400 vdekje të nënave në vitin 2023, sipas studimit, i cili u botua në revistën The Lancet Global Health. Kjo do të thotë se rreth një në katër vdekje të nënave u shmangën atë vit.

Studiuesit thanë se gjetjet nënvizojnë rëndësinë e kontracepsionit në rezultatet e shëndetit të grave. Kontraceptivët i ndihmojnë gratë të planifikojnë dhe të hapin kohë midis shtatzënive të tyre, duke parandaluar ndërlikimet dhe duke ndihmuar në uljen e numrit të aborteve të pasigurta.

 “Qasja në kontracepsion dhe kujdesi cilësor i maternitetit nuk janë vetëm ndërhyrje shëndetësore – ato janë thelbësore për të shpëtuar jetë dhe për të çuar përpara barazinë gjinore”, tha në një deklaratë Pascale Allotey, drejtoreshë në OBSH e fokusuar në shëndetin seksual dhe riprodhues.

Megjithatë, studiuesit paralajmëruan se përpjekjet për të frenuar aksesin në abort dhe shkurtimet e fundit në fondet globale të shëndetësisë, veçanërisht shpërbërja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), mund të rrezikojnë përpjekjet për të parandaluar vdekje të tjera të lidhura me shtatzëninë.

Ata bënë thirrje që programet e planifikimit familjar, të integrohen më mirë në kujdesin e maternitetit.

“Ne duhet të sigurohemi që çdo grua, kudo, të ketë mjetet për të planifikuar familjen e saj dhe për të pasur akses në kujdesin që i nevojitet për të parandaluar shtatzënitë e padëshiruara dhe për një shtatzëni dhe lindje të sigurt”, tha Allotey./ Euronews.

Të Ngjashme