Një punëtor 43-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë nga një lartësi në vendin e tij të punës, në rrugën Ferizaj–Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se viktima ka rënë nga një objekt gjatë kryerjes së punimeve.
“Sot rreth orës 15:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Ferizaj–Prishtinë, një person ka rënë nga një lartësi derisa ishte duke punuar. Viktima, mashkull 43-vjeçar, nuk ka arritur t’u përballojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka deklaruar Ahmeti.
Ajo shtoi se Policia, në koordinim me Prokurorinë dhe Inspektoriatin e Punës, ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.