Një 26-vjeçar ka humbur jetën të mërkurën pasdite, pasi dyshohet se është goditur nga rrufeja në një zonë malore ndërmjet bjeshkëve të Bukoshit dhe Dellocit, në komunën e Suharekës.
Sipas Policisë së Kosovës, informacioni fillestar është pranuar nga ekipi i Emergjencës në Suharekë, i cili ishte njoftuar nga banorë të fshatit Delloc për një person që dyshohej se ishte goditur nga rrufeja dhe ndodhej pa shenja jete.
“Emergjenca e Suharekës ka njoftuar Policinë se afër vendit të quajtur ‘Guri i Dellocit’, në zonën malore ndërmjet bjeshkëve të Bukoshit dhe Dellocit, dyshohej se një person ishte goditur nga rrufeja dhe, sipas informatave fillestare, ishte pa shenja jete”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia bëri të ditur se menjëherë pas marrjes së njoftimit, patrulla policore dhe hetuesit janë nisur drejt vendit të ngjarjes, ndonëse qasja ka qenë e vështirë për shkak të terrenit të thellë malor.
Në vendngjarje, ekipi mjekësor i Emergjencës ka konstatuar vdekjen e 26-vjeçarit me inicialet F.B.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
