Vëllai i Jakup Krasniqit, Avdyl Krasniqi, ka folur me emocion pak minuta para nisjes së seancës në Hagë, ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ai ka thënë se familja e ka pritur gjatë këtë ditë dhe shpreson që vendimi të jetë lajm i mirë për të akuzuarit dhe familjet e tyre.
“Vendimin jemi duke e pritur bukur gjatë, por besoj se sot ka ardhur fundi dhe do ta dëgjojmë një lajm të mirë. Shpresoj që të burgosurit në Hagë të lirohen dhe të kthehen pranë familjeve të tyre. Obligimin jetësor me kohë e kanë kryer, për të mirën e Kosovës dhe të popullit të saj”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka theksuar se, pavarësisht vështirësive dhe pritjes së gjatë, besimi në pafajësinë e tyre ka mbetur i fortë.
“Besimi ka qenë herë i lëkundur, por besimi në pafajësinë e tyre vazhdon dhe mbetet më i madh se dobësitë që mund të jenë. Shpresoj që kësaj here të veprohet drejt”, është shprehur ai.
Duke folur për procesin gjyqësor, Krasniqi ka thënë se pret që gjykata vendimin ta bazojë në fakte dhe prova.
“Dëshmitarët kanë qenë jo shumë seriozë dhe të gjitha këto kanë bërë që prokuroria të ngrejë akuza të rënda. Por gjykata duhet të mbështetet në fakte dhe të marrë vendimin e duhur”, ka deklaruar ai.
Krasniqi ka treguar edhe për vështirësinë e familjes gjatë viteve të mungesës së Jakupit.
“Nuk jemi ndier mirë. Të qëndrosh larg familjes për një kohë kaq të gjatë nuk është e lehtë. Të mos jesh prezent është e rëndë, mirëpo jeta është e tillë dhe duhet ta sfidojmë”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se e ka vizituar dy herë Jakup Krasniqin në Hagë, duke përshkruar takimet si momente të forta emocionalisht.
“Kam qenë dy herë për ta vizituar. Burgu është burg. Herën e parë kur jam ndarë prej tij jam mërzitur shumë. Por e kam parë edhe Çalin në korridor dhe Jakupi ka qenë shumë optimist, me vullnet të madh. Kemi folur edhe në telefon pothuajse çdo ditë”, ka rrëfyer Avdyl Krasniqi.
