Ralf Schumacher, vëllai i legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, po përgatitet të lidhë kurorë me partnerin e tij Etienne Bousquet-Cassagne, vetëm 19 muaj pas daljes së tij publike si homoseksual. Lajmi është bërë i ditur nga mediet gjermane, të cilat raportojnë se ceremonia do të zgjasë tri ditë dhe do të zhvillohet në Saint-Tropez këtë maj.
Ralf, 50 vjeç, që ka garuar në Formula 1 me Jordan, Williams dhe Toyota nga viti 1997 deri më 2007, ka zgjedhur të ndajë jetën me Etienne, 36 vjeç, duke marrë hapin e madh drejt martesës. Çifti kalon shumicën e kohës në jug të Francës, duke shijuar jetën larg vëmendjes së medieve.

Edhe pse ndarja me ish-bashkëshorten e tij, Cora, ka qenë e tensionuar, ajo i ka dërguar urimet e saj për çiftin. “Unë dhe partneri im Steven u urojmë Ralf-in dhe Etienne gjithë të mirat dhe shumë lumturi,” ka thënë Cora. Ralf dhe Cora ishin martuar në 2001 dhe kanë një djalë, David. Pas divorcit, Cora ka gjetur dashurinë me Steven Bo Bekendam, 44 vjeç, dhe pretendon se nuk ka kontakte me Ralf-in apo me të birin.

Kjo fejesë vjen si një kapitull i ri në jetën e Schumacher-it, duke treguar se ai është i vendosur të jetojë hapur dhe i lumtur pas një periudhe sfiduese dhe reflektimi personal.

