Në showbizin shqiptar prej kohësh është gdhendur miti “self-made”. Të famshëm që na shfaqen si luftëtarë të vetmuar në një udhëtim të vështirë që e bëjnë vetë dhe që arrijnë suksesin pas peripecive e vetëmohimeve. Por, në fakt, ka kaq shumë gjëra në jetë që nuk mund të arrihen pa mbështetjen dhe ndihmën e të tjerëve. Qoftë një moment, një fjalë, një mundësi, një mesazh a këshillë.
Të gjendur përballë këtij realiteti me kaq shumë personazhe me histori të njëjta prej “self-made” dhe të drejtuar nga egoja, shpesh të përshtatura keq nga Hollywood, më kanë bërë përshtypje gjithnjë vëllezërit Veshaj.
As Romeo, as Donaldi nuk bëjnë pjesë te “aktori/moderatori/këngëtari im i preferuar”, por për mua përfaqësojnë dy specie në zhdukje në botën e showt dhe spektaklit tonë që tregojnë vlerësim e mirënjohje për njeriun që i ka ndihmuar të arrijnë att ku janë sot.
Lotët e tyre mbrëmjen e djeshme në “Më lër të flas” ishin kujtues kuptimplotë se sa e rëndësishme është të shohësh suksesin në një këndvështrim më të gjerë dhe të jemi mirënjohës për njerëzit që na kanë dhënë dorën.
Mirënjohja është një nga emocionet më të çmuara dhe më të dobishme që mund të përjetojmë në jetë.
Aq të përulur dhe mirënjohës janë binjakët ndaj mentorit të tyre saqë i kanë dedikuar Agronit të gjithë karrierën artistike. Për ta ai është “babai i dytë”, “Robert De Niro shqiptar”, “mësusesi” dhe “personi që i bëri ata që janë sot”.
Sipas hulumtimeve shkencore nga psikologë të shquar njerëzit mirënjohës kanë më shumë gjasa të suksesshëm. Teori e cila shkon në përpjestim të drejtë me rrugëtimin e Donaldit dhe Romeos.
E keni parë filmin “A Star is Born” me Lady Gaga që i qëndroi besnike paktit të mirënjohjes me artistin që e transferoi nga mjedisi i supermarketit në skena të mëdha? Ajo që edhe pas vdekjes së tij nga depresioni, i këndoi “I will never love again”…
“Pema e Mirënjohjes” është një pemë që nuk rritet në Shqipëri ka thënë Shvarc. Por, ka përjashtime në terrene fertile, ku kjo pemë rritet.
Ky është rasti i Donaldit dhe Romeos të cilët sepse dinë “Faleminderit “, po ngjisin shkallë gjithmonë në rritje.
Si në jetën profesionale e publike, edhe në atë private.