Vendet anëtare të Konventës së Minamatës në Gjenevë ranë dakord të heqin gradualisht përdorimin e amalgamave dentare që përmbajnë merkur deri në vitin 2034, duke shënuar një hap historik drejt ndalimit të këtij metali toksik në stomatologji.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e rendit merkurin ndër 10 kimikatet më të rrezikshme për shëndetin publik. Disa shtete e kanë ndaluar tashmë përdorimin e tij në mbushje, të përdorura për më shumë se 175 vjet. Konventa e Minamatës, e nënshkruar nga mbi 150 vende që nga viti 2013, synon mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit nga ndotja me merkur.
Në konferencën e këtij viti, palët miratuan ndryshime që përcaktojnë ndalimin global të amalgamave dentare deri në 2034. “Ky vendim i bazuar në shkencë është një hap vendimtar drejt eliminimit të plotë të përdorimit të merkurit në stomatologji dhe një e ardhme më e sigurt për të gjithë,” u tha në deklaratën përfundimtare.
Grupi i vendeve afrikane kërkonte një afat më të afërt, duke propozuar ndalimin e prodhimit dhe tregtisë së tyre që nga viti 2030. Megjithatë, pas debateve, ku disa vende si Irani, India dhe Britania shprehën rezerva, u arrit kompromisi për vitin 2034. “Ne sapo hapëm një kapitull të ri në historinë e merkurit,” tha sekretarja ekzekutive e konventës, Monika Stankiewicz.
Bashkimi Europian e quajti marrëveshjen “një arritje të rëndësishme që do të sjellë përfitime afatgjata për shëndetin dhe mjedisin,” ndërsa Meksika e përshkroi si “një hap ambicioz, por realist, drejt një të ardhmeje pa merkur.”
Konferenca miratoi gjithsej 21 vendime, përfshirë nisma kundër kozmetikës për zbardhjen e lëkurës që përmban merkur dhe për ndalimin e përdorimit të tij në nxjerrjen e arit në shkallë të vogël. Presidenti i konferencës, Osvaldo Alvarez Perez, tha: “Kemi vënë objektiva të reja ambicioze dhe kemi lënë merkurin pak më shumë pas nesh.” / Economic Times – Syri.net
