Lajme

Vendimi për shqiptarët e trafikuar/ Autoritetet britanike nuk mund të…

Meshkujt shqiptarë që kanë qenë viktima të trafikimit në Britani nuk mund të deportohen automatikisht në Shqipëri. Ky është vendimi i fundit i drejtësisë britanike, e cila ka udhëzuar autoritetet që, përpara kthimit të tyre, të vlerësojnë nëse ekziston rrezik real për jetën dhe sigurinë e tyre.

Gjykata ka përcaktuar se autoritetet britanike nuk mund të mbështeten vetëm në argumentin se Shqipëria është një vend i sigurt, por duhet të shqyrtojnë rrethanat konkrete të çdo personi.

Në fokus është rreziku që viktimat, pas kthimit në Shqipëri, të përballen me kërcënime, dhunë apo ritrafikim. Autoritetet duhet të vlerësojnë gjithashtu nëse personi mund të mbrohet nga institucionet shqiptare, nëse ka mundësi strehimi dhe nëse mund të jetojë i sigurt, pa rënë sërish në duart e trafikantëve.

Vendimi prek veçanërisht djemtë dhe burrat e rinj shqiptarë të shfrytëzuar në Britani për aktivitete kriminale, përfshirë shpërndarjen e drogës dhe kultivimin e kanabisit.

Megjithatë, vendimi nuk nënkupton ndalimin automatik të deportimit për çdo shqiptar që ka qenë viktimë trafikimi. Në Britani, rastet e viktimave të mundshme shqyrtohen përmes Mekanizmit Kombëtar të Referimit, ku vlerësohen historia e personit, mënyra e shfrytëzimit dhe provat që mbështesin pretendimin e tij.

Tashmë, me udhëzimet e reja të drejtësisë britanike, çdo rast duhet të shqyrtohet individualisht dhe deportimi mund të kundërshtohet kur ekziston rrezik real për sigurinë e viktimës pas kthimit në Shqipëri.

Të Ngjashme