Kur udhëtoni në një vend tjetër, gjëja më e rëndësishme që duhet të keni është një pasaportë, të paktën për shumicën e njerëzve.
Janë tre persona për të cilët ky rregull nuk vlen – nuk kanë nevojë për pasaportë për të udhëtuar: mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar, perandori Naruhito i Japonisë dhe perandoresha Masako.
Para mbretit Charles III këtë privilegj e kishte mbretëresha Elizabeth II, e cila vdiq më 8 shtator 2022.
Ky përjashtim vlen vetëm për Mbretin (ose Mbretëreshën) e Mbretërisë së Bashkuar, jo për anëtarët e tjerë të familjes mbretërore. Kjo vlen edhe për gruan e mbretit Charles, mbretëreshën Camilla, e cila duhet të ketë me vete një pasaportë diplomatike.
Sa i përket Japonisë, më 10 maj 1971, ministria japoneze lëshoi një dokument ku thuhej se do të ishte shumë e papërshtatshme të lëshohej një pasaportë për një perandor ose perandoreshë, shkruan CNBC TV18.
Dokumenti shtonte gjithashtu se do të ishte shumë e papërshtatshme që perandori t’i nënshtrohej procedurave të imigrimit ose vizave duke përdorur një pasaportë si një qytetar i zakonshëm. Gjithashtu, një e drejtë e tillë vlen vetëm për perandorin dhe perandoreshën, ndërsa pasaportat diplomatike u lëshohen anëtarëve të tjerë të familjes perandorake, përfshirë trashëgimtarin e fronit dhe princeshën.
Kur ata mbërrijnë në ndonjë vend, perandorit dhe perandoreshës së Japonisë u kërkohet vetëm të paraqesin një dokument nga ministria lokale, e cila njofton vendin përpara mbërritjes së tyre.
Në rastin e mbretit Charles III, kjo detyrë i është besuar sekretarit të tij personal, Sir Clive Alderton, i cili ka qenë një nga këshilltarët më të besuar dhe më të dashur të Mbretit dhe Mbretëreshës Camilla që nga viti 2006, një vit pasi ata u martuan.