Vetëm tri netë me pak orë gjumë janë të mjaftueshme për të shkaktuar ndryshime të rrezikshme në përbërjen e gjakut, të cilat lidhen drejtpërdrejt me rritjen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare, sipas një studimi të ri të publikuar nga Universiteti i Uppsalës në Suedi.
Studimi u zhvillua në kushte laboratorike të kontrolluara rreptësisht dhe përfshiu 16 burra të rinj dhe të shëndetshëm, ku u krahasua efekti i një gjumi normal prej 8.5 orësh me një regjim të kufizuar gjumi prej vetëm 4.25 orësh në natë.
Rezultatet ishin befasuese: edhe pas vetëm tre netësh me pak gjumë, në gjakun e pjesëmarrësve u regjistrua rritje e ndjeshme e proteinave inflamatore, të cilat janë shënues biologjikë të lidhur me dëmtime të enëve të gjakut, sëmundje të arteries koronare, aritmi dhe madje edhe dështim të zemrës.
“Efektet inflamatore ishin të dukshme menjëherë,” deklaroi ekipi kërkimor, duke theksuar se këto ndryshime ndodhin edhe tek të rritur të rinj dhe pa probleme shëndetësore të mëparshme.
Një tjetër gjetje shqetësuese ishte se përfitimet nga ushtrimet fizike, të njohura për rolin e tyre mbrojtës ndaj shëndetit të zemrës, dobësoheshin dukshëm pas gjumit të pamjaftueshëm. Kjo tregon se edhe mënyra më e mirë për të mbrojtur trupin, aktiviteti fizik, nuk është në gjendje të kompensojë dëmet e shkaktuara nga mungesa e gjumit.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se ora e ditës kur merren mostrat e gjakut ndikon ndjeshëm në rezultatet, për shkak të luhatjeve natyrore të proteinave në trup. Mungesa e gjumit e përkeqëson këtë luhatje, duke ndikuar në saktësinë e matjeve dhe në gjendjen e përgjithshme të trupit.
Në një epokë ku zakonet moderne, si përdorimi i tepërt i ekranit, stresi i punës, turnet e natës dhe oraret e ngarkuara, po ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohëzgjatjen e gjumit, studimi vjen si një paralajmërim serioz për shëndetin publik.
Ekspertët theksojnë se gjumi cilësor nuk është luks, por një nevojë biologjike jetësore për mirëqenien fizike dhe mendore.
Sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe organizatave kardiologjike, të rriturit kanë nevojë për të paktën 7 deri në 9 orë gjumë natën për të ruajtur shëndetin afatgjatë. Syri.net-iefimerida
