Lajme

Vetëvendosje sulmon opozitën: Sikletin me Qeverinë Kurti e kanë te milionat që s’po përfundojnë te xhepat e tyre

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se sikleti i opozitës me Qeverinë Kurti është për shkak “që milionat nuk po iu përfundojnë në xhepat e tyre”.

Vetëvendosje tha se shembull “për të kuptuar këtë” është projekti shpronësimit për rrugën Kijevë-Zahaq, për të cilin tha se nëse s’do të bëhej nga Qeveria Kurti do të kushtonte 150 milionë euro më shumë.

“Pse gjithë ky siklet me Qeverinë Kurti?! Miliona euro kanë përfunduar në pak xhepa në secilin projekt infrastrukturor. Për të kuptuar përmasat e kësaj zhvatjeje mjafton të përmendim vetëm një projekt që dëshmon për brutalitetin e plaçkitjes së parasë publike”.

“240 milionë euro do të kushtonte projekti i shpronësimit për rrugën Kijevë-Zahaq, apo 150 milionë euro më shumë se projekti aktual që po bëhet tash me Qeverinë Kurti. Nga 240 ka rënë në 90 milionë euro, ndërkohë mund ta merrni me mend se ku do përfundonin 150 milionë euro”.

Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje thotë se “ka shumë siklet me Qeverinë Kurti e cila i ka cenuar rëndë milionat për grupet e ngushta të interesit të lidhur me ish-pushtetarët tash në opozitë”.

“Zhurmat që manifestohen nga ta kudo janë jehonë e një dhimbjeje me burim të xhepat e tyre”.

Reagimi i Vetëvendosjes vjen pak para seancës së jashtëzakonshme, e cila u thirr nga opozita lidhur me bisedën e shefes së deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me Milan Radojiçiq.

Përplasje rreth kësaj teme pati edhe dje në Kuvendin e Kosovës mes pozitës dhe opozitës.