Lajme

Vetëvendosje thotë se nuk do ta votojë buxhetin e Prishtinës

Kuvendi Komunal i Prishtinës, në një seancë të jashtëzakonshme, pa kryetarin e saj, ka diskutuar miratimin e buxhetit për vitin fiskal 2026, ku drejtues të drejtorive komunale dhe përfaqësues të partive politike paraqitën qëndrimet e tyre për ndarjen e mjeteve financiare dhe prioritetet zhvillimore të kryeqytetit, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha për Financa, Valbona Makolli, ka prezantuar strukturën e buxhetit dhe ka kërkuar aprovimin e tij në tërësi, ndërsa LDK dhe PDK kanë shprehur mbështetje me theks në stabilitet dhe zhvillim, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do ta votojë këtë buxhet, duke e cilësuar të papranueshëm dhe problematik në disa aspekte.

“I gjithë buxheti është i ndarë në 5 kategori ekonomike. Kategoria e pagave dhe mëditjeve për vitin fiskal 2026 janë 48.3 milionë euro për këtë kategori. Kategoria e mallrave dhe shërbimeve kap vlerën prej 32 milionë. Shpenzimet e komunale 3 milionë e gjysmë. Subvencionet dhe transferet 6.8 milionë. Investimet kapitale 60 milionë e 800 mijë. Ky buxhet është i përcaktuar në vizion e transformimit të kryeqytetit. Këto projekte janë të ndara në secilën kategori dhe janë bazuar edhe në dëgjime buxhetore. Buxheti i investimeve kapitale është i bazuar në projekte të mëdha kapitale për secilën kategori. Përveç investimeve të mëdha janë edhe shpenzimet operative të cilat direkt janë të përfshira në jetën e qytetarëve. Kërkoj aprovimin e këtij buxheti në tërësi”, tha ajo.
Në emër të LDK-së, Jeta Rafuna ka deklaruar se partia e saj do ta mbështesë buxhetin, pasi sipas saj ai adreson nevojat e qytetarëve dhe nuk përbën vetëm një dokument financiar operacional, por një instrument zhvillimi për përmirësimin e jetës së përditshme dhe forcimin e kapaciteteve të kryeqytetit.

“Në emër të LDK-së ne e përkrahim buxhetin sepse ai adreson nevojat e qytetarëve. Buxheti nuk është vetëm buxhet shifrash operative, por është një instrument zhvillimi që synon përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve dhe forcimin e kapaciteteve të kryeqytetit”,
Ndërkohë, Leutrim Retkoceri nga PDK ka theksuar se buxheti vjen në rrethana të vështira për shkak të sfidave të vitit 2025 dhe se grupi i asamblistëve të kësaj partie është i përkushtuar të kontribuojë në zhbllokimin e çdo situate që mund të rrezikojë funksionimin normal të komunës.
“Ky buxhet vjen në rrethana të vështira si pasojë e sfidave të vitit 2025. Grupi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës është i përkushtuar të kontribuojë në zhbllokimin e çfarëdo situate që mund të rrezikojë miratimin e buxhetit dhe funksionimin normal të kryeqytetit. Njëkohësisht, ne në vazhdimësi kemi kërkuar më shumë transparencë, përfshirje të qytetarëve, dëgjime publike dhe prezantim të qartë të projekteve, sepse këto janë themel i besimit publik dhe i një planifikimi të mirë. Asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës do të veprojnë me maturi, përgjegjësi dhe gatishmëri për t’i tejkaluar dallimet, gjithmonë në interes të kryeqytetit dhe qytetarëve të saj. Ajo që i duhet sot qytetit është stabilitet, vendimmarrje e mençur dhe përgjegjësi institucionale për të çuar përpara Prishtinën. Koha është për Prishtinën, përtej dallimeve. Prishtina është e jona”, tha ai.
Nga ana tjetër, Gëzim Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se subjekti i tij politik nuk do ta votojë buxhetin, duke vlerësuar se Prishtina po ngec dhe se rritja e buxhetit po paraqitet gabimisht si sukses qeverisës komunal.

Moneytizer Paragrafi 4

Ai kritikoi PDK-në që sipas tij është duke e përkrahur këtë buxhet, ai tha se ky buxhet më shumë i shërben PDK-së se sa vetë LDK-së.

“Me një fjalë, Prishtina po ngec. Dhe këtë nuk e themi vetëm ne, por këtë e thonë numrat që sot janë prezantuar. Prandaj çdo përpjekje për ta paraqitur këtë rritje të buxhetit si sukses qeverisës komunal është mashtrim publik. Një problem tjetër shumë serioz është fakti se sot po kërkohet ta votojmë këtë draft-buxhet pa asnjë raport financiar për vitin paraprak. Po na kërkohet t’i votojmë 150 milionë euro pa pikë llogaridhënie. Situata rëndohet edhe më shumë nga fakti se ende nuk kemi diskutuar raportin e auditimit të pasqyrave financiare të komunës sonë. Gjetjet e auditorit kombëtar për keqpërdorime janë në shifra të papara më herët. Gjithashtu, kryetari Rama fatkeqësisht gjatë gjithë vitit të kaluar nuk ka raportuar asnjëherë para këtij Kuvendi, përkundër obligimit ligjor që të ketë së paku dy raportime vjetore. Por siç e dini të gjithë ju, siç e dimë edhe ne, Kryetari Rama dhe normat ligjore të vendit tonë janë shpesh dy botë të kundërta. Sa i përket përmbajtjes së buxhetit, është alarmante se tri projekte kryesore janë projekte me probleme ligjore dhe që janë subjekt trajtimi nga organet e drejtësisë. Po flasim për Sheshin “Xhorxh Bush”, Lidhjen e Arbërisë me Qendrën dhe Tunelin në rrugën “Agim Ramadani”, tha ai.




Të Ngjashme