Tre të rinj kanë mbetur të lënduar sot në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku gjatë ditës janë raportuar edhe të shtëna me armë zjarri.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.
“Sot rreth orës 15:30, Policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Fahri Fazliu’ në Prishtinë. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Sipas të dhënave fillestare, tre persona kanë mbetur të lënduar, por lëndimet nuk janë shkaktuar nga arma e zjarrit. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka bërë të ditur Pllana.
Ndërkohë, pak më herët janë publikuar pamje që tregojnë momentin kur një veturë godet një grup të rinjsh, ngjarje që dyshohet të ketë lidhje me rastin.
