LifeStyle

Viti i Kalit/ Sot festohet Viti i Ri Kinez 2026

Ndërsa ne ndjekim kalendarin gregorian, në Kinë përdoret kalendari tradicional hënor. Fillimi i vitit përcaktohet nga hëna e re që bie mes 21 janarit dhe 20 shkurtit, ndaj data ndryshon çdo vit. Mund të jetë në fund të janarit ose në mes të shkurtit, si këtë herë.

Për kinezët, fillimi i vitit nuk lidhet me 1 janarin, por me ciklin e hënës dhe me nisjen simbolike të pranverës, prandaj quhet edhe Festivali i Pranverës.

Tek ne, Viti i Ri festohet kryesisht natën e 31 dhjetorit me fishekzjarre dhe darkë festive. Në Kinë, festimet zgjasin 15 ditë dhe përfundojnë me Festivalin e Fenerëve.

Disa nga traditat më të rëndësishme janë:

Darka e ribashkimit familjar, momenti më i rëndësishëm i vitit.

Pastrimi i shtëpisë për të larguar simbolikisht fatkeqësinë e vitit të vjetër.

Zarfat e kuq me para dhe urime, si shenjë fati dhe begatie.

Dekorime me ngjyrë të kuqe, që simbolizojnë fat, gëzim dhe mbrojtje nga e keqja.

Çdo vit në kalendarin kinez lidhet me një nga 12 kafshët e zodiakut: Miu, Demi, Tigri, Lepuri, Dragoi, Gjarpri, Kali, Dhia, Majmuni, Gjeli, Qeni dhe Derri. Çdo simbol besohet se ndikon në energjinë dhe karakterin e vitit.

Viti 2026 është Viti i Kalit. Kali në kulturën kineze simbolizon:

Energji dhe lëvizje

Pavarësi

Guxim

Ambicie

Konsiderohet një vit dinamik, i shpejtë dhe plot iniciativa, shpesh i lidhur me ndryshime të forta dhe ritëm të lartë.

Në zodiakun kinez, çdo shenjë kombinohet edhe me një nga pesë elementët: Dru, Zjarr, Tokë, Metal dhe Ujë. Kjo krijon ciklin 60 vjeçar.

Viti 2026 është Viti i Kalit të Zjarrit, një kombinim që forcon energjinë, pasionin dhe vendosmërinë, duke e bërë vitin edhe më intensiv dhe ambicioz.

Të Ngjashme