Lajme

Vitia: Borxhet ndaj profesionistëve shëndetësorë do të kryhen retroaktivisht

Ministri i Shëndetësisë ka thënë se mospagesa e kujdestarive për profesionistët shëndetësorë ka ndodhur për shkak të mosvotimit të buxhetit të këtij viti me kohë.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, Arben Vitia tha se megjithatë, në muajt në vijim në mënyrë retroaktive do të paguhen të gjitha ato mjete që u kanë mbetur borxh atyre.

“Edhe një arsye tjetër pse duhet t’i shmangim zgjedhjet e panevojshme. Buxheti i vitit të kaluar e dini që nuk është miratuar me kohë për shkak të situatës politike. Për pasojë, Buxheti është miratuar tek këtë vit, dhe siç e dini, dy muajt e parë kemi operuar me 1/12 e buxhetit të vitit të kaluar”.

“Kjo ka qenë arsyeja pse nuk janë paguar edhe mjekët edhe inferimerët për shtesat dhe kujdestaritë, dhe ju kërkojmë ndjesë për këtë punë, por nuk ka pasur asnjë mundësi ligjore për të proceduar ndryshe”, deklaroi mes tjerash Vitia.

Ai tha se ashtu siç ka ndodhur edhe më herët për disa shtesa kur janë grumbulluar për disa muaj, “nuk do të mbeten borxh për asnjë profesionist shëndetësor për punën dhe kujdestaritë që i kanë kryer”.

“Përveç se do të fillojnë pagesat për kujdestaritë dhe shtesat që do t’i kenë profesionistët shëndetësorë muajt në vijim, në mënyrë retrokative do të paguhen edhe të gjitha ato që iu kemi mbetur borxh edhe gjatë këtyre muajve të fillimit të viti”, deklaroi ministri Vitia.

Të Ngjashme