Një aksion i pazakontë proteste u zhvillua mbrëmjen e së martës në Montreal, ku një grup aktivistësh të maskuar si personazhi Robin Hood hynë në një supermarket, morën produkte pa kryer pagesën dhe më pas i shpërndanë ato në frigoriferët komunitarë të qytetit. Veprimi u prezantua si formë reagimi ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve të ushqimeve në Kanada, por a quhet vjedhje apo bamirësi?
Iniciativa u mor përsipër nga një organizatë që mban emrin “Robins des Ruelles” (Robinët e Rrugicave). Sipas deklaratës së tyre, rreth 60 persona morën pjesë në aksion. Ata hynë në një dyqan ushqimor, morën produkte të ndryshme dhe i shpërndanë në pika të ndryshme solidariteti në qytet. Grupi e cilësoi veprimin si një “akt politik”, me synimin për të tërhequr vëmendjen ndaj pasigurisë ushqimore dhe kostos gjithnjë në rritje të jetesës.

Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji. Në dhjetor, anëtarë të të njëjtit grup organizuan një aksion të ngjashëm, duke hyrë në një tjetër supermarket të veshur si Babagjyshi dhe elfët. Edhe atëherë ata morën produkte ushqimore dhe i lanë si “dhurata” simbolike pranë një peme Krishtlindjesh.
Sipas të dhënave të rrjetit kanadez CBC, çmimet e ushqimeve janë rritur me 4.7 për qind nga nëntori 2024 deri në nëntor 2025, një normë që është më shumë se dyfishi i inflacionit të përgjithshëm në vend.
Policia e Montrealit ka konfirmuar hapjen e një hetimi për vjedhje dhe dëmtim prone. Zëdhënësi Jean-Pierre Brabant bëri të ditur se nuk ka pasur persona të lënduar dhe se deri tani nuk janë kryer arrestime. Vlera e produkteve të marra ende nuk është përcaktuar saktësisht, por besohet se arrin në disa mijëra dollarë.
/tiranapost