Lajme

“Vjosa Osmani meriton edhe një mandat, opozita do të ndëshkohej nga qytetarët nëse bojkoton zgjedhjen e presidentit”

Kosova pritet që brenda pak javësh të hyjë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, një proces që, sipas Kushtetutës, zhvillohet përmes Kuvendit të Kosovës. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyҫi, vlerëson se ndonëse do të ishte e dëshirueshme që presidenti të zgjidhej drejtpërdrejt nga qytetarët, modeli kushtetues aktual është legjitim dhe i krahasueshëm me praktika të vendeve të tjera evropiane.

“Ka disa modele për zgjedhjen e presidentit. Nuk është vetëm modeli i zgjedhjes parlamentare apo ai i votimit të drejtpërdrejtë nga qytetarët. Edhe në Gjermani, për shembull, presidenti zgjidhet nga një strukturë legjislative e zgjeruar”, shprehet Bytyҫi.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyҫi

Ai thekson se karakteri parlamentar i Republikës së Kosovës nuk ndryshon as në rast se presidenti do të zgjidhej nga populli, duke i quajtur të pabazuara interpretimet që e lidhin formën e regjimit vetëm me mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit.

Sipas tij, para se të hapet diskutimi për zgjedhjen e presidentit, Kosova duhet të ketë të konsoliduara institucionet e tjera shtetërore.

Bytyҫi vlerëson se qeveria e re dhe strukturat e Kuvendit pritet të formohen shpejt, më së largu deri në mesin e shkurtit.

“Mazhoranca tashmë është e qartë falë vullnetit të zgjedhësve, të cilët ia besuan sërish institucionet koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje”, thotë ai, duke shtuar se çështja e presidentit do të vijë në rend të ditës pas formimit të Qeverisë Kurti 3.

Në fazën e konsultimeve, sipas Bytyҫit, kreu i mazhorancës ka detyrim kushtetues të bisedojë me presidenten aktuale dhe me të gjitha partitë parlamentare, përfshirë edhe ato të minoriteteve.

Ai thekson se presidenti duhet të jetë figurë unifikuese për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Presidenti përfaqëson unitetin kombëtar të Kosovës, përfshirë edhe minoritetet. Integrimi i minoritetit serb është interes i vetë serbëve që jetojnë në Kosovë, dhe institucionet duhet të jenë garant të të drejtave që ata tashmë i gëzojnë”, deklaron Bytyҫi.

Duke folur për kandidatët e mundshëm, ai thekson se emrat duhet të vijnë edhe nga opozita dhe se mazhoranca duhet të mbështesë kandidatin më përfaqësues, pavarësisht përkatësisë politike.

“Nëse ndonjë kandidat i opozitës është më i miri për këtë post, mazhoranca duhet ta përkrahë pa ego dhe pa hezitim”, shprehet ai.

Megjithatë, Prof. Bytyҫi është i qartë në vlerësimin e tij për presidenten aktuale, Vjosa Osmani. Ai thotë se ajo meriton një mandat të dytë në krye të shtetit.

“Vjosa Osmani meriton të performojë edhe një mandat të dytë si presidente. Meritat e saj janë të spikatura, sidomos në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në përpjekjet për shtimin e njohjeve”, thekson ai.

Sipas Bytyҫit, Osmani ka vepruar në rrethana jashtëzakonisht të vështira për Kosovën, duke ruajtur ekuilibrat ndërkombëtarë dhe duke e mbajtur çështjen e Kosovës në agjendën e partnerëve perëndimorë.

“Ajo ka performuar përballë liderëve më të fuqishëm të botës perëndimore, duke mos hequr dorë nga parimet që ka mbrojtur kryeministri Kurti”, vlerëson profesori.

Ai nënvizon gjithashtu faktin se presidentja Osmani ka dëshmuar pavarësi institucionale, duke mos hezituar të kritikojë qeverinë kur ka pasur mospajtime.

“Ne kemi parë se ajo ka qortuar dhe kritikuar qeverinë dhe kryeministrin, kur nuk është pajtuar me qëndrimet e tyre. Kjo është një arsye shtesë që edhe opozita ta votojë”, thotë Bytyҫi.

Duke folur për kritikat e opozitës, ai i cilëson ato si të motivuara politikisht, veçanërisht për shkak të pakënaqësisë me caktimin e datës së zgjedhjeve të fundit.

“Opozita mund të tentojë bojkotin e seancës për zgjedhjen e presidentit, por ky veprim do ta penalizonte rëndë atë”, paralajmëron ai, duke shtuar se në rast të zgjedhjeve të reja, qytetarët do t’i jepnin mazhorancës edhe shumicën kushtetuese.

“Ndëshkimi për opozitën do të ishte drastik”, thekson Bytyҫi.

Në përfundim, ai shpreh bindjen se Vjosa Osmani do të vazhdojë të jetë në krye të shtetit edhe për një mandat tjetër, nëse kjo mbështetet nga mazhoranca.

“Nëse zonja Osmani nuk kandidohet, Kosova ka edhe emra të tjerë. Por unë besoj se ajo do të jetë presidente edhe për një mandat”, përfundon Prof. Dr. Enver Bytyҫi.