Lajme

Vlerësohet se rasti i katërshes së UÇK-së po zvarritet

Katërshja e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë katër vite që janë arrestuar për pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për krime lufte. Ky proces gjyqësor, po vlerësohet se po zvarritet dhe po përcillet me mungesë transparence.

Më katër nëntor, të vitit 2020 Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është arrestuar nga hetues të Prokurorisë Speciale dhe u transferua në Hagë.

Një ditë pas, në Objektet e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara u dërguan edhe ish presidenti Thaçi, ish krykuvendari Veseli dhe ish deputeti Selimi.

Nga arresimi i ish krerëvë të UÇK-së, janë bërë katër vite.

E përballja e tyre me akuzat për krime lufte, përgjatë këtyre viteve, vlerësohet se është stërzgjatur.

“Procesi është shoqëruar me mungesë të theksuar të transparencës. Tashmë kemi edhe shkresa të Gjykatës të cilat e konfirmojnë që procesi është në stërzgjatje. Megjithatë, me aq sa kemi parë, vlerësoj se siç kanë rënë pretendimet e prokurorisë sa i përket çështjes së trafikimit, ashtu gradualisht do të bijnë edhe pretendimet sa i përket asaj që njihet si ndërmarrje e përbashkët kriminale, për faktin se edhe në procese gjyqësore të mëhershme, por edhe gjatë këtij procesi nuk është argumentuar kjo tezë”, shprehet avokati Ardian Bajraktari.

Si problematikë e këtij procesi gjyqësor cilësohet mungesa e transparencës dhe seancat e shumta të mbyllura për publikun.

“Një prej pengesave që mund të potencohet për publikun, është numri i madh dëshmitarëve të dëgjuar në masa të sigurisë apo edhe seancat në të cilat janë dëgjuar këta dëshmitarë kanë qenë pjesërisht të mbyllura. Më shumë se 50% e dëshmitarëve janë dëgjuar në seanca të mbyllura të cilat kanë ndikuar edhe tek parimi i transparencës”, thotë Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Ani pse në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, gjyqi ndaj katërshes filloi në prillin e vitit të kaluar.

E që nga atëherë, Zyra e Prokurorit të Specializuar, është duke e paraqitur lëndën para trupit gjykues.