Lajme

Vota e diasporës ‘tronditi’ skenën politike/ Aliçkaj zbulon pse vetëm Kurti e kuptoi fuqinë e mërgatës – ‘godet’ opozitën

Rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, veçanërisht në votimet jashtë Kosovës, tregojnë një përkrahje të fortë për Lëvizjen Vetëvendosje. Me 13,899 vota apo 86.74% të mbështetjes nga diaspora, ky rezultat ngre pyetjen se sa vendimtare ka qenë diaspora në fitore të partisë dhe nëse ajo mund të konsiderohet bastioni kryesor i LVV-së jashtë vendit.

Drejtori i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Agim Aliçkaj deklaroi se e drejta për votë lidhet me shtetësi dhe kësisoj nuk mund të mohohet kjo gjë.

Ai këshilloi partitë që të fokusohen te mërgata dhe të mos e anashkalojnë rolin e saj.

Image
Drejtori i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Agim Aliçkaj

“Në vendet demokratike, e drejta për të votuar lidhet me shtetësi, pa marrë parasyshë ku jeton. Nëse humbet shtetësia, humbet e drejta e votës. Kjo nuk ndryshon kurrë.

Këshillohen të gjitha partitë politike që mërgatën ta marrin si segment të caktuar të interesuar për çështje të caktuara, të cilët janë të pavarur dhe mund të përfitohen më lehtë me programe dhe punë të mira. Njësoj si një President amerikan që i analizon të gjitha shtetet dhe segmentet e popullsisë dhe mundohet që të ju përshtatet e t’i përfitojë”.

Për këtë, Aliçkaj në bashkëbisedimin me “Bota sot” u shpreh se, vota e diasporës duhet të merret seriozisht, e që sipas tij këtë e ka kuptuar siç duhet vetëm Kurti me partinë e tij.

Në këtë pikë, ai reagoi ashpër ndaj kritikëve të votës se diasporës, derisa tha se, nuk mund të fajësohet mërgata për humbjen e partive opozitare.

“Vota e mërgatës duhet të merret seriozisht, të respektohet dhe të përfitohet. Jo, të anashkalohet dhe të bllokohet. Zgjedhjet e 28 dhjetorit e treguan se mërgata është faktor i rëndësishëm për ti fituar zgjedhjet. Këtë e ka kuptuar me kohë Kryeministri Albin Kurti me partinë e tij LVV-në dhe koalicionin. Kjo votë i ndihmoi ata që të shënojnë fitore impresive, plotësisht me meritë.

Unë dhe shumë shokë të mij jemi të mllefosur nga përpjekjet e humbësve të zgjedhjeve dhe mbështetësve të tyre në media ta akuzojnë mërgatën për humbjen e tyre, ta ofendojnë dhe njollosin pa pikë arsye dhe kontrolli

Ofendimi më i ulët dhe më i rrezikshëm i tyre është, se “KM Kurti na qenka Cerrnagor”! Ky është një sulm i paskrupullt ndaj të gjitha Trojeve shqiptare dhe mbarë kombit shqiptar”, theksoi ai.

Krahas kësaj, drejtori i LQSHA-së foli edhe për ofendimet që janë bërë mërgatës kohët e fundit në lidhje me shkollimin dhe emancipimin e tyre.

“Po ashtu i ulët dhe krejtësisht i pa vërtetë është deklarimi se, “Mërgata na qenka e paedukuar dhe frikacakë që ka ikë nga lufta dhe problemet e Kosovës”. Mërgata është e mbushur me intelektualë të të gjitha lëmive dhe niveleve dhe është shumë e informuar.

Djemt dhe vajzat e Mërgatës kanë marrë pjesë në luftë, e kanë finacuar luftën dhe i kanë mbrojtë luftëtarët e lirisë në Uashington e kudo. Edhepse luftën direkte e kanë bërë luftëtarët e lirisë, para të cilëve duhet të përulemi të gjithë, vetëm me ta, pa logjistikë dhe mbështetje të gjërë, nuk do të vinte fitorja”.

 Ai vazhdoi dhe përmendi edhe disa akuza të tjera, e që sipas tij janë shumë të pakuptimta.

“Pastaj, akuzat se mërgata nuk i di dhe nuk përjeton problemet e brendshme, siç janë rryma, spitalet, shkollat, bizneset, mirëqenja sociale etj., janë poashtu të pakuptimta. Mërgimtarët i kanë shtëpitë dhe pronat për të cilat paguajn taksa, mbesin edhe ata pa rrymë ose nxemje gjatë qëndrimit, i financojnë familjet e tyre, të sëmurët, shkollimin e fëmijve sipas nevoje dhe e ndihmojnë hapjen e bizneseve.

Humbësit e zgjedhjeve, sa merren me punë të kota, e kanë më mirë t’i analizojnë shkaqet e vërteta të humbjes. Ato janë të shumta, por kryesore janë korrupsioni gjatë qeverisjes së tyre, përulja ndaj ndërkombëtarëve, nënshtrimi ndaj kërkesave serbe dhe shitja e shtetit. Këto çështje i konsideron më së shumti mërgata”, shtjelloi drejtori i LQSHA-së.

Në fund, ai kishte një mesazh për opozitën, derisa shtoi se, Kurti dhe Osmania ia kanë ‘zbardhë fytyrën’ Kosovës.

“Ka ardhur koha, që anëtarësia e gjerë e PDK-së dhe AAK-së me luftëtarët e vërtetë të lirisë, dhe antarësia rugoviste e LDK-së, që ja duan të mirën shtetit dhe kombit, të bëjnë presion mbi krerët e tyre që disa të tërhiqen, tjerët të ndryshojnë dhe të fillojnë të punojnë për shtet dhe komb, pastaj për parti dhe pushtet.

Kjo është e vetmja mënyrë nëse duan të bëhen opozitë e fortë konstruktive dhe të krijojnë mundësinë për marrje të pushtetit në mënyrë demokratike. Disa kërkesa të çmendura për mospranim të zgjedhjeve dhe rrëzim të Kryeministrit Kurti me trazira në rrugë do ti zhdukin plotësisht nga jeta demokratike. Populli i Kosovës do ti hudhë poshtë, por edhe më keq do të ndahen me faktorin ndëkombëtarë, sidomos me Amerikën tonë të dashur.

Testi i parë i ndryshimit të tyre do të jetë aprovimi i buxhetit dhe kredive ndërkombëtare por edhe më me rëndësi është vazhdimi i mandatit të Presidentes së mrekullueshme, Vjosa Osmani. Ajo, me Kryeministrin Kurti dhe bashkëpunëtorë të tyre na kanë zbardhë fytyrën dhe na kanë bërë krenarë me përfaqësim në qarqet ndërkombëtare dhe ballafaqim me Serbinë hegjemoniste”, përmbylli Agim Aliçkaj për “Bota sot”.