“Në jetë duhet pasur vullnet e durim, të mirat vijnë pastaj”. Ju faleminderit për demokracinë maksimale, për besimin e ri e të pastër dhe për një fillim të ri, shumë më të ndryshëm. Ecim bashkë tani”, kështu ka shkruar Lumir Abdixhiku, pasi i mbijetoi votëbesimit të partisë së tij.
Abdixhiku u konfirmuar si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me shumicën e konsiderueshme kundër largimit të tij (165 vota), por edhe një numër i arsyeshëm votoi për largimin e tij (135 delegatë).
Politologu, Adnan Qaka, thotë se LDK ka arritur të ruajë një standard më të avancuar të vendimmarrjes demokratike dhe të pluralizimit të brendshëm.
Sipas tij, ekzistojnë kritika për mënyrën e funksionimit aktual të partisë, por duhet pranuar për zhvillimin e demokracisë së brendshme.
“Vendimi i shumicës së delegatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’i dhënë votëbesimin kryetarit Lumir Abdixhiku për të vazhduar mandatin e tij, me 164 vota pro dhe 136 kundër, përbën një zhvillim të rëndësishëm në kuptimin e promovimit të demokracisë së brendshme partiake. Ky proces dëshmon se LDK, pavarësisht sfidave dhe krizave të vazhdueshme, mbetet një nga partitë me nivelin më të lartë të funksionimit demokratik në Kosovë. Në vazhdimësi historike, LDK ka dëshmuar se është partia me traditën më të konsoliduar të demokracisë së brendshme, edhe pse nuk kanë munguar devijime dhe periudha problematike në zhvillimet e saj të brendshme. Megjithatë, krahasuar me partitë e tjera politike në vend, LDK ka arritur të ruajë një standard më të avancuar të vendimmarrjes demokratike dhe të pluralizmit të brendshëm. Edhe pse ekzistojnë kritika të justifikuara për mënyrën e funksionimit aktual të partisë, duhet pranuar se ajo vazhdon të ketë nivelin më të lartë të zhvillimit të demokracisë së brendshme në skenën politike kosovare”, deklaron Qaka.
Kryetari Abdixhiku, sipas Qakës, përballet me një opozitë të fortë të brendshme.
Ai thotë se LDK është dashur të reflektojë seriozisht përmes shkarkimeve të strukturave të larta partiake dhe të ndërmarrë reforma të thella dhe rrënjesore të brendshme.
“Në anën tjetër, fakti që një numër i konsiderueshëm delegatësh – gjithsej 136 – votuan kundër dhënies së votëbesimit për Lumir Abdixhikun në Kuvendin e LDK-së të mbajtur më 31 janar, pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, përbën një sinjal të qartë të pakënaqësisë së thellë brenda partisë. Kjo dëshmon se kryetari aktual përballet me një opozitë të fortë të brendshme dhe se një pjesë e madhe e strukturave partiake nuk pajtohen me vazhdimin e tij në krye të LDK-së. Sipas vlerësimit tim, përgjegjësit kryesorë për rezultatet e dobëta të LDK-së në dy palë zgjedhje parlamentare gjatë vitit 2025 janë Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami dhe Gazmend Muhaxheri. Këta përfaqësojnë bërthamën e vendimmarrjes politike të partisë dhe, rrjedhimisht, mbajnë përgjegjësinë kryesore për dështimin elektoral. Në këtë kontekst, LDK është dashur të reflektojë seriozisht përmes shkarkimeve të strukturave të larta partiake dhe të ndërmarrë reforma të thella dhe rrënjësore të brendshme”, shprehet politologu.

Adnan Qaka
Rizgjedhja e Abdixhikut, sipas Qakës, mund të prodhojë pakënaqësi, por aktualisht LDK nuk ka një alternativë më të mirë se ai, pavarësisht dështimeve të tij.
“ Rizgjedhja e Lumir Abdixhikut dëshmon qartë se LDK aktualisht nuk ka një alternativë reale për të dalë nga kriza politike në të cilën ndodhet dhe nuk ka një ofertë të qartë politike për qytetarët. Aktualisht, LDK nuk disponon asnjë lider me kapacitet të mjaftueshëm për ta rifuqizuar partinë dhe për ta shndërruar atë në një subjekt realisht konkurrues për pushtet. Këto rezultate të dobëta pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në zgjedhjet e ardhshme, ku LDK vështirë se mund të konsiderohet si parti garuese për marrjen e pushtetit. Rizgjedhja e Abdixhikut mund të prodhojë pakënaqësi të mëtejshme brenda partisë, megjithatë, duke qenë realistë, LDK aktualisht nuk ka një alternativë më të mirë se ai, pavarësisht dështimeve të tij”, shton Qaka.
Abdixhiku ia ofroi Kuvendit të partisë dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit, pas rezultatit të shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në këtë proces zgjedhor, LDK-ja fitoi 13.24 për qind të votave, rezultati i dytë më i keq që nga paslufta.
Abdixhiku dështoi të shfrytëzojë momentin politik, thotë Qaka, gjersa përfundon se LDK vazhdon me mendësi të vjetëruar politike.
“Paralajmërimi i tij për një “fillim të ri” nuk është bindës. Me këtë kryesi, me këtë qasje politike, me mungesë të theksuar të vizionit strategjik dhe të një programi të mirëfilltë politik, është e vështirë të besohet se Abdixhiku mund ta ringjallë LDK-në. Lumir Abdixhiku e kishte një mundësi ideale për t’u konsoliduar politikisht pas keqqeverisjes së Albin Kurtit, veçanërisht në fushat e ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë. Megjithatë, ai dështoi ta shfrytëzojë këtë moment politik, dhe zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 përbëjnë rastin e humbur që vështirë se do t’i përsëritet. Pavarësisht disa arritjeve të qeverisë aktuale, veçanërisht në fushën e sigurisë, bilanci i përgjithshëm i qeverisjes mbetet negativ, me më shumë dështime sesa suksese. Fatkeqësisht, opozita, e në veçanti LDK-ja, nuk arriti ta shfrytëzojë këtë situatë dhe të paraqitet si alternativë serioze qeverisëse. LDK ka humbur rastin historik për reflektim përmes mungesës së shkarkimeve dhe reformave të thella pas rezultatit katastrofal të 28 dhjetorit 2025. Sot, kjo parti vazhdon të funksionojë me mendësi të vjetruara politike, pa një vizion të qartë dhe pa një projekt politik që do ta kthente në një forcë relevante dhe konkurruese në skenën politike të Kosovës”, përfundon politologu.
