Vijojnë hetimet për Sokol Mjacajn, i cili dy ditë më parë në brugun e Peqinit vrau të dënuarin përjetë, Arben Lleshi dhe plagosi, Indrit Shaqjen.
Bëhet me dije se policia ka ushtruar kontrolle në banesën e babait dhe vëllait të Sokol Mjacajt në Dukagjin.
Mjacaj ka dhënë një tjetër dëshmi, ku është shprehur se e vrau Lleshin pasi ai nuk e ka pranuar në sektorin e tij. Deklaratat e autorit janë kontradikte, pasi pak më vonë ai është shprehur se kishte mësuar se do e fusnin në regjimin 41 bis dhe se po mos e kishte mësuar lajmin nuk do e kishte kryer vrasjen.
Sakaq, ai është pyetur me emra konkret nëse ka qenë i paguar për vrasjen, por Mjacaj ka hedhur poshtë këto pretendime duke thënë se vrasja ndodhi për konflikte brenda burgut.
Më poshtë dinamika e vrasjes në burgun e Peqinit sipas Prokurorisë së Elbasanit
Në datë 15.12.2023 rreth orës 13:52 në ambientet e regjimit të brendshëm të IEVP Peqin, shtetasi (i dënuar me burgim përjetshëm, i caktuar me vendim gjykate siguri e lartë) Sokol Mjaca me armë zjarri pistoletë ka gjuajtur në drejtim të shtetasit (të dënuar) Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja, duke lënë të vdekur në vend viktimën Arben Lleshi dhe plagosur viktimën Indrit Shaqja.
Më pas ky shtetas ka kanosur me armë zjarri në dorë punonjësit e shërbimit si dhe më pas është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruara një armë zjarri, 5 gëzhoja, si dhe dy predha të dëmtuara. Prej ditës së djeshme, është artikuluar në media se i riu nga Dukagjini mund të jetë paguar nga persona të tjerë për të ekzekutuar brenda në burg Arben Lleshin.
Kjo përforcohet dhe nga fakti se dje para ngjarjes, ministri Manja ka deklaruar se kishte firmosur urdhrin për transferimin e autorit në regjimin special “41 BIS”.
Pavarësisht se u tha se pistoleta që Sokol Mjacaj kishte në qeli mund të ishte futur atje me dron, dyshohet se arma ka kaluar dorazi dhe e plotë. Pra, arma ka kaluar rregullisht sikur të ishte mjet i lejuar në një burg të sigurisë së lartë dhe e pa copëzuar.
Ngjarja e rëndë ka nxjerr në pah dhe një problematikë tjetër në këtë burg. Një pjesë e kamerave të sigurisë dhe e skanerit nuk punonin prej kohësh. Kjo ka krijuar hapësira, ndoshta, dhe për të dënuarit e tjerë për të futur sende të palejuara në qelitë e tyre.
Sokol Mjacaj ka deklaruar në dëshminë e tij para kryeprokurorit të Elbasanit se vrasjen e Lleshit e kishte kryer pasi ai nuk e kishte pranuar në sektor.
“Jemi konfliktuar aty për aty me Arben Lleshin. Nuk më pranoi në sektor. Armën e kam futur para 20 ditësh apo një muaj”, është shprehur autori i të shtënave në Burgun e Peqinit. Megjithatë, ky mbetet vetëm një pretendim i Sokol Mjacaj, pasi grupi hetimor ka dyshime mbi vërtetësinë.
Emrat e zyrtarëve të ndaluar për ngjarjen në burgun e Peqinit
-Kamber Hoxha, 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i IEVP Peqin;
-Qani Muça, 60 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë shef i Policisë së IEVP Peqin;
-Nikolin Gjonpalaj, 54 vjeç, banues në Tiranë, ish-shef i Policisë së IEVP Peqin;
-Vilson Shima, 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shef regjimi në IEVP Peqin;
-Arben Dulellari., 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist i informacionit në sallën operative të IEVP Peqin;
-Ilir Balla, 46 vjeç, banues në Peqin, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-Florenc Mile., 43 vjeç, banues në Lushnje, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-Fatos Pire., 50 vjeç, banues në Belsh, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-Genci Muça, 49 vjeç, banues në Lushnjë, punonjës policie i IEVP Peqin;
-Klement Haka, 44 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin;
-Erjon Çela., 36 vjeç, banues në Belsh, punonjës policie i IEVP Peqin;
-Indrit Dubali, 41 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo