Lajme

Vrasjet e fundit në Kosovë, Kurti kërkon hetime: Na duhet veprim i menjëhershëm

Kryeministri Albin Kurti ka folur rreth vrasjeve që ndodhën në tri ditët e fundit në vendin tonë.

Ai e nisi mbledhjen e qeverisë duke ftuar organet e rendit, hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë, shkaqet dhe rrethanat e dorasve në mënyrë që të vihet drejtësia dhe të parandalohen raste të tilla në të ardhmen.

“Dua të ndaj shqetësimin dhe brengën time në lidhje me katër vrasjet e regjistruara në tre ditët e fundit. Ftoj organet e rendit, hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë, shkaqet dhe rrethanat e dorasve në mënyrë që të vihet drejtësi dhe të parandalohen raste të këtilla në të ardhmen. Vrasja është akti më i rëndë që mund tia bëjë njeriu njeriut, ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet. Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut por edhe e shoqërisë në të cilën ai njeri bënte pjesë, pra shoqërisë sonë. Gjithë vendi është tronditur dhe është lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalet dhe të dënohet. Na duhet analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror. Kjo është thirrje për të gjithë ne, për secilin prej nesh”, tha Kurti.

TS Poll - Loading poll ...

Shefi i qeverisë u shprehi ngushëllime familjarëve të viktimave duke u thënë se u qëndron pranë në këto ditë të vështira.

“U shpreh ngushëllime familjeve të viktimave dhe u qëndrojmë pranë në këto ditë të vështirë teksa ritheksojmë kërkesën për angazhim maksimal të organeve të rendit dhe drejtësisë”, përfundoi Kurti, njofton Klankosova.tv.

Kujtojmë se 19-vjeçari, Ardit Zymeri u vra mbrëmjën e 23 marsit në Vushtrri, nga bashkëmoshatari tij, Bleon Dibrani, ndaj të cilit është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji.

Vetëm një ditë më pas, në Stanoc të Vushtrrisë, një burrë vrau 42-vjeçaren, Nexhmije Haradini dhe më pas edhe veten. Ky i fundit ishte 58-vjeçar dhe shkaqet që çuan deri tek vrasja nuk dihen ende.

Nuk mjaftoi me kaq pasi mbrëmë në Prishtinë ndodhi një tjetër vrasje. Viktima është Naser Gashi, 62-vjeçar, ndërkohë në spital, konkretisht në Klinikën e Ortopedisë po qëndron edhe i plagosuri nga ngjarja e mbrëmshme i cili është në gjendje stabile.