Një i vrarë e pesë të plagosur mbetën mbrëmjen e së dielës në kryeqytet pas të shtënave me armë zjarri mes grupeve familjeve Sekiraqa dhe Gashi.
Për këtë ngjarje Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se vrasja është nxitur nga mosmarrëveshjet.
E lidhur me këtë, profesori i sigurisë, Fatmir Çollaku thotë se Policia e Kosovës nuk mund t’i parandalojë rastet e ngjashme kur mes dy grupeve ka mosmarrëveshje e të cilat përfundojnë me hakmarrje.
“Te ‘qërimi i hesapeve’ mes grupeve dhe bandave gjithandej nëpër Evropë, Amerikë është dukuri që s’mund të ndalet e parandalohet, sepse hakmarrja mes grupeve është diçka që nuk mund të parandalojë Policia e Kosovës, e në këtë rast as policitë e vendeve të ndryshme”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Sipas tij, shqetësuese është që rastet e tilla po ndodhin në hapësirat e publike, gjë që paraqet rrezik që të pësojnë personat që s’janë të përfshirë në rast.
“Është shqetësuese, por jo e jashtëzakonshme. Por, ajo çfarë është shqetësuese është se rastet e tilla bëhen në hapësira publike, ku ka frekuencë të madhe të njerëzve dhe pasojat mund të jenë të rënda për personat që nuk kanë të bëjnë asgjë me rastin”, deklaroi profesori i sigurisë.
Ndërkohë, autoritetet gjyqësore e kanë klasifikuar këtë rast si vepër penale “vrasje të rëndë” në bashkëkryerje dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria Themelore tha po ashtu se përveç pesë të plagosurve, autoritetet po punojnë në identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në të shtënat në Prishtinë. /teve1.info/