Bota

Vritet “El Mencho”, shefi më i kërkuar i narkos në Meksikë. 26 viktima dhe vendi në kaos

Meksika është përfshirë nga dhuna pas eliminimit të një prej figurave më të rrezikshme të krimit të organizuar. Forcat e sigurisë njoftuan vrasjen e Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, themelues dhe drejtues i kartelit famëkeq Jalisco Nueva Generación (CJNG).

59-vjeçari konsiderohej narkotrafikanti më i kërkuar në Meksikë dhe një nga më të rrezikshmit në botë. Operacioni u zhvillua në shtetin e Jalisco-s, por pasojat u ndjenë menjëherë në disa rajone të vendit.

Bilanc i rëndë dhe panik në rrugë

Menjëherë pas aksionit shpërthyen përleshje të ashpra mes grupeve të narkos dhe forcave të rendit. Deri tani raportohen të paktën 26 të vdekur, mes tyre edhe civilë dhe efektivë të sigurisë.

Në disa shtete u regjistruan:

automjete të djegura dhe të vendosura për bllokimin e rrugëve

të shtëna me armë

ndërprerje e transportit publik

turistë të këshilluar të mos dalin nga hotelet

Autoritetet kanë arrestuar 27 persona, ndërsa situata në disa zona mbetet e tensionuar.

Sukses për qeverinë meksikane

Eliminimi i “El Mencho” konsiderohet një goditje e madhe ndaj krimit të organizuar dhe një sukses për presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum, si dhe për sekretarin e Sigurisë Omar García Harfuch.

Operacioni mund të zbusë edhe presionin nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, administrata e të cilit kishte vendosur një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për kapjen e tij.

Rrezik për luftë të re mes karteleve

“El Mencho” drejtonte një nga kartelët më të dhunshëm, i përfshirë në trafikun e metamfetaminës, kokainës dhe fentanilit drejt SHBA-së. Pas arrestimit të rivalëve si Joaquín ‘El Chapo’ Guzmán dhe Ismael ‘Mayo’ Zambada, ai ishte kthyer në figurën më të frikshme të botës së narkos.

Ekspertët paralajmërojnë se eliminimi i tij mund të ndezë një luftë të re për pushtet mes karteleve, me pasoja të paparashikueshme për sigurinë në Meksikë.

/tiranapost

Të Ngjashme