Lajme

Vrsja në Fier, flet nipi i viktmës: Ngjarja ishte e paralajmëruar, policia nuk iu përgjigj telefonatës

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Vidhisht të Roskovecit bashki e Fierit, ku 58-vjeçari Kosta Plaka u vra me armë gjahu, ndërsa bashkëshortja e tij mbeti e plagosur.

Nipi i viktimës ka rrëfyer momentet e para të ngjarjes, duke deklaruar se u zgjua nga zhurma e të shtënave dhe tentoi të njoftonte menjëherë Policinë.

“Dëgjova krisma rreth orës 05:00 të mëngjesit. Ishim të gjithë në gjumë. U zgjova dhe dola në ballkon, dëgjova zhurmë nga shtëpia e xhaxhait. Pastaj dëgjova krismën e dytë. I rashë policisë, por nuk e hapte telefonin. Kjo ngjarje ishte e paralajmëruar. Personi në fjalë është kapur disa herë, policia e kapte, prokuroria e nxirrte dhe ja sot ndodhi kjo ngjarje e rëndë”, u shpreh ai.

Sipas dëshmisë së tij, familja kishte qenë në dijeni të konflikteve të vazhdueshme mes autorit të dyshuar dhe ish-bashkëshortes së tij, ndërsa ai pretendon se 35-vjeçari e kishte kërcënuar më herët të renë, edhe në Tiranë.

“Nusja e xhaxhait është në spital, nuk e dimë si është gjendja. Ai ka marrë me vete edhe vajzën, e cila është 24 vjeçe. Kanë pasur konflikte të vazhdueshme. Kanë qenë të martuar, janë ndarë dhe sot ndodhi kjo tragjedi. Ai ka shkuar edhe në Tiranë dhe e ka kërcënuar vajzën. Policia e ka marrë disa herë, por e kanë nxjerrë”, deklaroi nipi i viktimës.

Sipas Policisë, autori i dyshuar, Refit Buzi, 35 vjeç, vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, plagosi ish-vjehrrën dhe më pas u largua nga vendngjarja me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten. Forcat e rendit vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

DINAMIKA E NGJARJES

Një djalë i ri është zhdukur sot në mëngjes, pak pasi shkoi te shtëpia e familjes së ish gruas së tij dhe hapi zjarr duke i kurrë jetën babait të bashkëshortes me të cilën është ndarë dhe duke plagosur rëndë nënën e saj. Nuk është mjaftuar me kaq, me armën e gjahut në krah, ka rrëmbyer ish gruan dhe janë larguar në drejtim të paditur me makinën e tij.

Çfarë ndodhi sot në mëngjes

Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht që është pjesë e bashkisë Roskovec në qarkun Fier, djali 35 vjeçar Refit Buzi, akuzohet se ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin Kosta Plaka, 58 vjeç.

Jo vetëm kaq ai ka hapur zjarr dhe ka plagosur edhe ish-vjehrrën e tij, shtetasen Belere Plaka, rreth 55 vjeçe. Gruaja është plagosur rëndë dhe aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen Rozalinda Plaka, duke marrë me vete edhe armën e gjahut.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Të Ngjashme