Kuriozitete

Vuani nga gjëndra tiroide, ja 5 shenjat që duhet të dini për ta kapur herët

Gjëndra tiroide është një ndër më të rëndësishmet në trupin e njeriut. Ajo është përgjegjëse për prodhimin e hormonit tiroid që kontrollon metabolizmin, frymëmarrjen, frekuencën e zemrës, sistemin nervor, peshën, temperaturën, si dhe shumë funksione të tjera të trupit.

Prodhimi mbi normë, ose në mangësi i niveleve të këtij hormoni, çon në shfaqjen e ndërlikimeve të shumta shëndetësore, të cilat nëse nuk trajtohen në kohë, mund të mbartin pasoja të rënda për shëndetin. Sipas bluzave të bardha, format më të shpeshta të çrregullimeve të kësaj gjëndre, paralajmërohen nga një sërë shenjash klinike, të cilat na vijnë në ndihmë për të zbuluar sa më herët praninë e çrregullimeve në funksionimin e tiroides. Ja cilat janë ato:

Ndryshime të vazhdueshme të peshës: Ndryshimet në peshën trupore mund të sinjalizojnë një funksion jo normal të gjëndrës tiroide. Hypotiroidizmi mund të shkaktojë shtim në peshë, ndërsa humbja e papritur e peshës mund të sinjalizojë hipertiroidizmin.

Fryrje e qafës: Po ashtu, një shenjë tjetër mund të jetë fryrja e qafës, që vjen si rezultat i zgjerimit të gjëndrës tiroide. Një tiroide e zgjeruar paraqitet si ënjtje e pjesës së përparme të qafës. Kjo mund të ndodhë në të dyja format e sëmundjes. Por, mund të ndodhë edhe nga tumoret që zhvillohen në gjëndrën tiroide.

Rënie e theksuar e flokëve: Rënia e theksuar e flokëve është një shenjë e zakonshme që lajmëron problemet me tiroiden. Si nivelet e larta, ashtu edhe të ulëta të hormoneve të tiroides, mund të çojnë në humbjen e flokëve, të cilat rriten përsëri, sapo gjendja është trajtuar.

Probleme me temperaturën e trupit: Tiroidja ndikon gjithashtu në rregullimin e temperaturës së trupit. Konkretisht personat që vuajnë nga hypotiroidizmi tregojnë se ndjejnë më tepër të ftohtë, në të kundërt njerëzit me hipertiroidizëm priren të kenë djersitje të tepërt dhe neveri nga të ngrohtit.

Çrregullime në ciklin menstrual: Çrregullimet e tiroides mund të shkaktojnë ndryshime të ciklit menstrual në periudhën e tranzicionit menopausal. Prandaj mos i neglizhoni ato.