Bota

Vuçiç: Serbia kurrë nuk ka kërkuar sanksione kundër Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pretendon se Serbia “asnjëherë nuk ka bërë fushatë” për vendosjen e sanksioneve kundër Kosovës, në një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj thirrjes së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për sanksionimin e Serbisë për dhunën në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.

“Për dallim nga ata, ne nuk përpiqemi të konkurrojmë nëse Prishtinës apo dikujt tjetër do t’i ndodhë diçka e keqe. Nuk na keni dëgjuar kurrë duke bërë fushatë për sanksione ndaj tyre. Ne nuk jemi të interesuar për këtë, ne jemi të interesuar të kemi një jetë normale, që serbët në Kosovë ta kenë një jetë normale”, tha presidenti i Serbisë në Granada të Spanjës, ku po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Më herët gjatë ditës në Granada, Osmani tha se nuk ka arsye për ta takuar Vuçiqin, para se ndaj tij të vendosen sanksione për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.