Aleksandar Vulin, kryetar i Lëvizjes Socialiste dhe ish-shef i BIA-s, ka kërcënuar Kosovën, kryeministrin Albin Kurti dhe individët që kundërshtojnë interesat serbe, duke thënë se Serbia duhet të veprojë në Kosovë si Mossadi në Izrael.
“Shteti serb duhet të veprojë. Unë, pas kësaj, do të kërkoja nga shërbimet tona të krijojnë një plan të qartë se si do të merremi me individë me emër e mbiemër, të cilët janë bartës të politikave antiserbe, e ata le të mendojnë se çfarë do t’u ndodhë. Mundet Izraeli, mundet Mossadi, pse s’mundet shërbimi serb, pse s’mundemi ne?”, ka thënë Vulin.
Analisti Driton Tali në një deklaratë për Bota Sot ka thënë se, sipas tij, Serbia do të vepronte si Mossad për eliminimin e liderëve kosovarë nëse do ta kishte mundësinë.

Driton Tali
Ai gjithashtu pretendon se Aleksandar Vulin bën deklarata të ashpra që Aleksandar Vuçiç nuk mund t’i shprehë publikisht.
Sipas Talit, qëndrimi i Serbisë ndaj shqiptarëve është i njëjtë prej dekadash.
“Për që Serbia do të vepronte si Mosadi (për t’i likuiduar fizikisht udhëheqësit kosovarë) po të kishte mundësi dhe po që ju dha mundësia, aty nuk kam kurrfarë dyshimi, se ajo do vepronte edhe ma zi.
Keni parasysh, Vulini e ka një detyrë: të veprojë e deklarojë në atë mënyrë që Vuçiçi, për shkak të pozitës dhe rrethanave, nuk mundet edhe pse ashtu mendon.
Pra, Vulini është si në atë thënien “çka ka shpija kallxon fmija”.
Sepse kemi të bëjmë me frymën ekzistuese në Serbi e cila është e kultivuar gati qe dy shekuj. Keni parasyah, Vulini e as Vuçiçi nuk ishin protagonistë në kohën e Drazha Markoviçit, Sllobodan Peneziçit Aleksandar Rankoviçit, Millan Stojadinoviçit, Nikolla Pashiçit, Vlladan Gjorgjevicit, Millan Piroçancit apo Ilija Garashaninit etj, por qëndrimin ndaj shqiptarëve e kanë të njejtë”, thotë ai.
Tutje, analisti ka deklaruar se, sipas tij, përderisa në Serbia ekziston një frymë anti-shqiptare, rreziku për veprime të tilla mbetet gjithmonë i pranishëm dhe varet nga rrethanat politike.
Ai përmendi si shembuj sulmin në Banjska, masakrën e Reçak Massacre, planin Operation Horseshoe, si dhe atentatet ndaj Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Enver Hadri
“Andaj derisa të ekzistojë kjo frymë – pra e dominuar me racizëm anti shqiptar – këto veprime janë gjithmonë në menu veç varet nga koha dhe rrethanat. Pra varet nga ajo se çka rrethanat ju mundësojnë. Nëse kanë shansa (sipas tyre) ata përsëri do të organizojnë sulme terroriste si në Banjskë, ose sulme si në kanalin Ibër- Lepenc, e nëse rrethanat ju mundësojnë atëherë pse jo edhe ndonjë masakër si në Reçak, ose ndonjë plan siç ishte Patkoi (per t’i hequr qafe përgjithmonë shqiptarët), apo edhe atentate siç ishin ndaj Gërvallve dhe Kadri Zekës apo ndaj Enver Hadrit etj”, përfundon ai për gazetën.
