Njohësi i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi vë në dukje se Serbia shpesh lidhet me ngjarje ndërkombëtare për t’i lidhur me “padrejtësitë ndaj saj” në Kosovë në vitin 1999.
Sipas Kuçit, krahasimi i situatave si ato në Iran, Venezuelë, Greenland apo Somaliland me Kosovën krijon barazi të rreme dhe shërben për të relativizuar përgjegjësitë historike.
Kjo retorikë, argumenton ai, e pozicionon Serbinë më afër regjimeve autoritare dhe larg hapësirës demokratike evropiane, duke e bërë njëkohësisht një faktor potencial destabilizues.
Shkrimi i Kuçit:
Serbia ka një refleks të çuditshëm politik: çdo zhvillim në botë mundohet ta kthejë në histori viktimizimi rreth vitit 1999 dhe Kosovës. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për Venezuelën, Greenlandën, Somalilandin apo tani për përplasjen SHBA–Iran. Sapo ndodh diçka në skenën ndërkombëtare, propaganda zyrtare serbe e lidh me “padrejtësinë ndaj Serbisë”.
Më herët këtë vit, Kosova u krahasua me Greenlandën, me Somalilandin dhe me Venezuelën. Tani Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq e lidh situatën në Iran me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.
Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte një operacion specifik 78-ditor, i ndërmarrë në kontekstin e një krize të thellë humanitare dhe pas një historie të dokumentuar të spastrimit etnik dhe krimeve sistematike kundër shqiptarëve në Kosovë. Situata me Iranin është krejt tjetër: një shtet sovran me dinamikë të ndryshme rajonale, me çështje bërthamore dhe me ekuilibra globalë që nuk kanë asnjë lidhje strukturore me Kosovën e vitit 1999. Këto janë realitete të ndryshme juridike, politike dhe strategjike.
Me këtë qasje, Serbia krijon barazi të rreme: e zhvendos debatin nga faktet historike në emocione dhe e paraqet veten si objekt të përhershëm padrejtësish. Kjo shërben për të relativizuar përgjegjësinë për politikat dhe krimet e viteve ’90 dhe për të riprodhuar një narrativë viktimizimi që mban gjallë legjitimitetin e brendshëm politik. Në të njëjtën kohë, kjo retorikë e pozicionon Serbinë më afër boshtit autoritar që përfshin Rusinë dhe aleatët e saj strategjikë.
Duhet kujtuar se vetë Serbia e dërgoi çështjen e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Gjykimi u dha. Por në diskursin politik serb, e vërteta pranohet vetëm kur i shërben narrativës së brendshme.
Ky nuk është debat serioz për të drejtën ndërkombëtare. Është operacion narrativ. Është mënyrë për të kontrolluar perceptimin publik, brenda dhe jashtë Serbisë.
Në plan afatgjatë, kjo qasje nuk e forcon Serbinë por e izolon. E zhvendos gradualisht në orbitën e regjimeve autoritare dhe e largon nga hapësira demokratike evropiane por në planin afatshkurt dhe aftmesëm e bënë një kërcënim serioz për paqen si një proksy i Rusisë. Miti i përhershëm i Kosovës si justifikim për gjithçka është instrument politik, jo strategji shtetërore e qëndrueshme.
Prandaj, kur shihni krahasime të tilla, ndaluni dhe pyesni: a janë këto raste realisht të krahasueshme, apo kemi të bëjmë me një përpjekje për ta rishkruar realitetin sipas interesit politik?
