Raportet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të ndjeshme dhe komplekse në kontekstin rajonal.
Pavarësisht se Kosova është shtet i pavarur dhe me institucione të zgjedhura demokratikisht, zyrtarët më të lartë të Serbisë vazhdojnë të ndërhyjnë hapur në jetën politike të saj, veçanërisht përmes thirrjeve drejtuar komunitetit serb për të mbështetur subjekte të caktuara politike në zgjedhjet e 7 qershorit,
Kjo ndërhyrje u bë edhe më e qartë në paraqitjen e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në emisionin “Cirilica”, ku ai u bëri thirrje qytetarëve serbë në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe të mbështesin Listën Serbe.
“U bëj thirrje njerëzve që të dalin të dielën dhe të votojnë në zgjedhje”, deklaroi Vuçiq, duke e shoqëruar ftesën për pjesëmarrje me mbështetje të drejtpërdrejtë për këtë subjekt politik.
Këto deklarata vijnë në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që Kosova do t’i mbajë të dielën, më 7 qershor.
Në këtë kontekst shtrohen një sërë pyetjesh të rëndësishme politike dhe juridike: a përbën kjo ndërhyrje të drejtpërdrejtë në proceset demokratike të Kosovës, deri kur do të tolerohet ndikimi i Beogradit mbi qytetarët serbë në Kosovë dhe a është kjo pjesë e një strategjie më të gjerë për të minuar sovranitetin institucional të Kosovës përmes Listës Serbe dhe strukturave të tjera politike të lidhura me Serbinë?
Halilaj: Institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të jenë më të qartë në kundërshtimin e këtyre ndërhyrjeve

Gazmend Halilaj
E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj, i cili u shpreh se thirrjet e Vuçiqit për votimin e Listës Serbe janë përpjekje për të ndikuar në proceset demokratike në Kosovë.
Sipas tij, deklaratat e fundit të presidentit serb, konfirmojnë se LS vazhdon të funksionojë në koordinim me qeverinë e Beogradit.
“Thirrjet e vazhdueshme të Aleksandar Vuçiqit që serbët e Kosovës të votojnë për Listën Serbe janë dëshmi e qartë se Beogradi ende e sheh Kosovën si hapësirë të ndikimit të vet politik. Kur presidenti i Serbisë promovon hapur një subjekt politik në Kosovë, kjo nuk mund të konsiderohet thjesht interesim për komunitetin serb, por një përpjekje për të ndikuar në proceset demokratike dhe për të ruajtur kontrollin politik përmes Listës Serbe.
Për vite me radhë, Lista Serbe është perceptuar nga shumë qytetarë dhe analistë si instrument i politikave të Beogradit në Kosovë, më shumë sesa si një parti që vepron në mënyrë të pavarur në interes të qytetarëve që përfaqëson. Prandaj, mbështetja publike e Vuçiqit vetëm sa e forcon bindjen se kjo parti vazhdon të funksionojë në koordinim me qendrën politike në Serbi”, shtjelloi ai.
Sipas avokatit, çdo ndërhyrje e një shtet tjetër në zgjedhjet në Kosovë është në kundërshtim me frymën e demokracisë.
Madje, ai u shpreh se, këto thirrje duhet të dënohen nga ndërkombëtarët, si dhe institucionet e Kosovës, pasi integrimi i komunitetit serb duhet të bëhet mbi bazën e lojalitetit ndaj rendit kushtetues dhe jo urdhrave të Beogradit.
“Kosova është shtet sovran dhe demokratik. Qytetarët e saj, pa dallim etnie, duhet të kenë të drejtën të vendosin lirshëm për përfaqësuesit e tyre, pa presione politike nga jashtë. Çdo përpjekje për të dirigjuar votën e qytetarëve nga një shtet tjetër është në kundërshtim me frymën e demokracisë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të jenë më të qartë në kundërshtimin e këtyre ndërhyrjeve dhe të mbështesin forcimin e një sistemi politik ku qytetarët e Kosovës vendosin vetë për të ardhmen e tyre. Integrimi i komunitetit serb në institucionet e Kosovës duhet të bëhet mbi bazën e lojalitetit ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe jo mbi bazën e direktivave që vijnë nga Beogradi”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
Kelmendi: Lista Serbe është subjekt politik nacional-shovinist, ajo është ndërtuar nga krimineli i luftës A. Vuçiq
Kurse, profesori Muhamet Kelmendi, u shpreh se, LS është subjekt politik i ndërtuar nga krimineli Vuçiq.

Muhamet Kelmendi
Madje, në prononcimin e tij dhënë “Bota sot” u shpreh se thirrjet e presidentit serb për votime në zgjedhjet në Kosovës janë të ndaluara me ligj.
“Lista Serbe është subjekt politik nacional-shovinist. Ajo është ndërtuar nga krimineli i luftës A. Vuçiq, dhe kjo ka ardhur si rezultat i marrëveshjeve të bëra me Serbinë. Vetë subjekti, që nga formimi i tij, ka për synim ripushtimin e Kosovës nga Serbia.
Teorikisht, kjo nuk mund të ndalet, sepse propaganda pa elemente të veprës penale është e lejuar. Mirëpo, këtu shtrohet pyetja: a është vepër penale thirrja “Kosova është Serbi”? De jure, kjo është e ndaluar me ligj dhe dënimet mund të shkojnë me vite, por pavarësisht kësaj, po lejohet nga shteti i Kosovës”.
Krahas kësaj, potencoi faktin, se thirrjet e tilla për ta votuar Listës Serbe, janë të ndaluara edhe në BE.
Madje, ai tha se Bashkimi Evropian ka mjete për të ushtruar presion dhe për ta ndëshkuar një qasje të tillë të Serbisë.
“Ndërkaq, thirrjet serbe për të votuar Listën Serbe janë juridikisht të dënueshme, sepse ndalohet ushtrimi i presionit politik, ekonomik dhe social, si dhe kërcënimet që po i bën Lista Serbe dhe vetë shteti serb. Veprime të tilla janë të ndaluara dhe Bashkimi Evropian ka për detyrë të intervenojë dhe të kërkojë që ato të ndalohen.
BE-ja i ka mjetet e presionit ndaj Serbisë dhe ka mundësi që, në aspektin ekonomik, ta ndëshkojë atë, ndërsa edhe politikisht mund të ushtrojë presion. Kosova nuk ka mundësi dhe mjete për ta ndalur shtetin serb, por mund ta ndalë Listën Serbe dhe mjetet e presionit që ajo po ushtron mbi qytetarët serbë për ta votuar këtë listë”.
Në fund, profesori përmendi edhe manifestimet në rrugët e Mitrovicës kohët e fundi, të cilat i dënoi dhe tha se, janë manifestime nacionaliste dhe duhet të ndalen.
Madje, nënvizoi se zgjedhjet duhet të mbahen në qetësi dhe pa presion, e që për një gjë të tillë ka përgjegjësi edhe KQZ-ja.
“Manifestimet që po shihen në rrugët e Mitrovicës tash e disa ditë e tejkalojnë karakterin e një manifestimi festiv të maturantëve. Ato tashmë janë shndërruar në manifestime nacionaliste dhe duhet të ndalen, qoftë e nevojshme edhe me intervenim nga shteti. Lista Serbe ka gjetur te maturantët një mënyrë për të shfaqur nacionalizmin serbomadh dhe për të ushtruar presion për votë.
E gjithë kjo është në kundërshtim me ligjin dhe duhet të ndëshkohet nga shteti. Nuk duhet të lejohen veprime arbitrare dhe çdo manifestim i kësaj natyre duhet të ndalohet. Zgjedhjet duhet të mbahen në qetësi dhe pa presion. Këtu përgjegjësi ka edhe KQZ-ja, e cila nuk po merr masa juridike kundër Listës Serbe, ndonëse dënimet janë të përcaktuara me ligj”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.
