Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka vazhduar edhe të shtunën narrativën destruktive të Serbisë karshi Kosovës, duke e cilësuar vendin tonë si pjesë të territorit serb dhe duke theksuar nevojën për forcim të mëtejmë ushtarak, pavarësisht deklarimeve për paqe dhe stabilitet. Madje,
Pretendimet territoriale ndaj Kosovës, Vuçiq i theksoi përmes retorikës që shoqërohet vazhdimisht me mobilizim emocional të opinionit publik, siç u pa edhe nga thirrjet e turmës gjatë fjalimit, “Kosova është zemra e Serbisë”.
Në një tubim të mbajtur të shtunën, Vuçiq deklaroi se Serbia është “më e fortë ushtarakisht se kurrë më parë”, ndërsa paralelisht u shpreh se synon ruajtjen e paqes dhe shmangien e konflikteve. Duke përdorur një diskurs emocional, Vuçiq tha se nuk dëshiron që asnjë fëmijë të sakrifikohet në luftë, por njëkohësisht nënvizoi se një e ardhme e tillë kërkon forcë të vazhdueshme shtetërore, transmeton KosovaPress.
Vuçiq përsëriti sërish narrativën se gjoja aleanca ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci paraqet rrezik për Serbinë, ndonëse një gjë e tillë është theksuar disa herë se nuk ka qëllim të tillë. Ndonëse tha se përgjigjja e vendit të tij do të jetë “me qetësi dhe dinjitet”, retorika u shoqërua me mesazhe të forta simbolike për qëndrueshmërinë e shtetit serb.
Në fund, ai shprehu mbështetje për serbët që jetojnë në Kosovë, duke i cilësuar si ruajtës të “atdheut” në kohë të vështira, një tjetër element i diskursit të vazhdueshëm të Beogradit për rolin dhe statusin e komunitetit serb në Kosovë.
