Lajme

Vuçiq synon Kosovën me ‘Serbia 2030’, Tali me paralajmërim të fortë – ja si duhet të veprojnë institucionet!

Presidenti Aleksandër Vuçiq ka prezantuar strategjinë “Serbia 2030”, derisa tregoi hapur oreksin e tij territorial, duke përfshirë dhe Kosovën si pjesë të hartës politike dhe ushtarake të vendit të tij, pavarësisht se pretendoi se nuk kërkon luftë, por vetëm paqe.

“Kushtetuta e Republikës së Serbisë thotë pa mëdyshje se Kosova është një krahinë autonome brenda Serbisë. Kjo është shkruar edhe në Kartën dhe në rezolutën e Kombeve të Bashkuara, pavarësisht nëse disa në botë e pranojnë apo jo. E vetmja zgjidhje për Kosovën është biseda! Pa konflikte apo luftë, por dialogu, dhe vetëm dialogu… Fatkeqësisht, sot nuk kemi partner për bisedime, dëshira e tyre e vetme është dëbimi i serbëve nga atdheu i tyre shekullor. Ne duhet të forcojmë shkollat, spitalet dhe njerëzit tanë si themel të qëndrimit në Kosovë”, tha Vuçiq.

E për këtë temë dhe këto kërcënimë të Vuçiq, për “Bota sot” foli Driton Tali, i cili u shpreh se deklaratat kërcënuese që po vijnë në vazhdimësi nga politikanët serbë, vetëm sa po e konfirmojnë synimin hegjemonist dhe racist të Serbisë naj Kosovës.

“Duke i pasur parasysh kërcënimet që i bënë disa figura të rëndësishme politike si bie fjala Millosh Vuçeviçit, i cili është kryetar i partisë së Vuçiqit dhe këshilltar i tij, si dhe ishte edhe kryeministër e ministër i Mbrojtjes,  i cili i bënë në vazhdimēsi si p.sh., deklarata e llojit “të gjithë terroristët shqiptarë, pa marrë parasysh se ku mshifen në Gjakovë, Prishtinë apo Mitrovicën Jugore, kudo, do i gjejmë dhe do i likuidojmë”,  apo kërcënimin e Aleksandar Vulinit “me sulme kundër Kosovës, kryeministrit Albin Kurti dhe individëve që mbështesin politika antiserbe” duke thënë se “Serbia duhet të veprojë si Mosadi kundër armiqëve”, kjo strategji “Serbia 2030”,  e prezentuar nga Vuçiqi ku “përfshihet Kosova si pjesë të hartës politike dhe ushtarake e Serbisë”, veç çka e betonon edhe më shumë vullnetin hegjemonist dhe racist të “kësaj Serbie””, deklaroi ai.

Për këtë, Tali tha se lufta hibride është në veprim tash e sa kohë dhe se duhet të ketë kujdes Kosova ndaj këtyre kërcënimeve, pasi Vuçiq nuk po i fshih ambiciet e tij në asnjë moment.

“Pra kështu sillet edhe duke e ditur se rrethanat aktuale nuk ja mundësojnë asaj ato ambicie, paramendo se çfarë do të bënte sikur të kishte mundësinë? Ose sikur gjeopolitika aktuale të ndërrojë në favor të saj.

Edhe sa i përket “ushtrisë digjitale” autoritet kosovare duhet të kenë kujdes. Sepse lufta hibride, (në dezinformim dhe influencim) ka kohë që është në veprim.

Serbia ka kohë që ka angazhuar ekspertë rusë, me ndihmën e të cilëve  është ka e influencon Kosovën me lajme të rrejshme, qoftë në lidhje me rajonin (pra edhe vet Kosovën) qoftë me gjeopolitikën”, theksoi Tali.

Ndër të tjera, ai kërkoi nga institucionet e Kosovës që të marrin parasysh projektin “Serbia 2030” dhe të mbajnë vëmendjen ndaj kërcënimeve kibernetike dhe dezinformatave të ndryshme.

“Andaj, sipas mendimit tim, “Serbia 2030” duhet marrë seriozisht nga autoritet kosovare. Sidomos “ushtria digjitale”  duhet të merret më seriozisht sepse kam përshtypjen se nuk po merret aq seriozisht komponenti digjital/ kibernetik  dhe presioni hibrid nga autoritet tona gjegjëse. Institucionet yona të sigurisë duhet të mbajnë vëmendje maksimale ndaj kërcënimeve kibernetike dhe dezinformatave, duke përdorur mbështetjen ndërkombëtare”, përfundoi Driton Tali për “Bota sot”.

Të Ngjashme