Lajme

Vuçiqi dhe Specialja, Shehu zbulon çfarë fshihet pas “parashikimeve” të presidentit serb

Publicisti Nexhmedin Shehu ka deklaruar për “Bota sot” se qëndrimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj Kosovës janë të vazhdueshme dhe armiqësore.

Sipas Shehut, deklaratat e Vuçiqit për aktgjykimin e Gjykatës Speciale janë pjesë e një strategjie për të nxitur reagime qytetare në Kosovë dhe për të dëmtuar imazhin e saj, duke e barazuar me Serbinë.

“Qëllimet armiqësore të Aleksandar Vuçiqit ndaj Kosovës janë të përhershme dhe të pakontestueshme. Ato shfaqen në forma të ndryshme, zakonisht të menduara me kujdes, që të mos lënë pas prova të drejtpërdrejta për qëllimin e vërtetë. Pikërisht nga kjo premisë duhet të analizohen edhe “parashikimet” e tij për aktgjykimin e Gjykatës Speciale.

Loja e Vuçiqit me këto “parashikime” — fillimisht duke paralajmëruar lirimin e Thaçit, ndërsa tani një dënim të rëndë, gjithnjë duke u thirrur në burime të “mirinformuara” — nuk është e rastësishme. Ajo është pjesë e një platforme të nxitjes së reagimit qytetar në Kosovë. Një reagim i pakontrolluar do t’i shërbente propagandës së tij, duke e zhvendosur vëmendjen nga nderimet që Serbia i bëri kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiq, dhe duke i dhënë Vuçiqit mundësinë që Kosovën ta barazonte me sjelljen anticivilizuese të shtetit serb”, u shpreh ai.

Image

Nexhmedin Shehu

Shehu thekson se veprimet e Vuçiqit ndaj Kosovës nuk janë të rastësishme, por pjesë e një politike të vazhdueshme për ta dëmtuar stabilitetin dhe imazhin e saj ndërkombëtar.

Ai u bën thirrje institucioneve, partive politike dhe mediave që, pavarësisht aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, reagimet të jenë të matura, dinjitoze dhe demokratike, duke respektuar drejtësinë dhe duke kundërshtuar çdo padrejtësi përmes mjeteve ligjore.

“Në botën e sotme të ndërlidhur, varësia dhe ndikimi i ndërsjellë i veprimeve politike janë të dukshme si ndërmjet miqve, ashtu edhe ndërmjet kundërshtarëve. Aq më tepër, ndërmjet dy vendeve fqinje me një histori të rëndë armiqësish, nuk mund të pritet që veprimet e Vuçiqit ndaj Kosovës të jenë të rastësishme apo pa prapavijë politike. Politika e tij mbart një synim të vazhdueshëm: dëmtimin e gjithçkaje që lidhet me Kosovën — nga stabiliteti i saj i brendshëm deri te imazhi dhe pozita e saj ndërkombëtare.

Prandaj është e domosdoshme që institucionet e Kosovës, partitë politike, individët dhe, në veçanti, mjetet e informimit ta kuptojnë përgjegjësinë që mbajnë. Cilido qoftë aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, reagimi ynë duhet të jetë dinjitoz, i matur dhe demokratik. Vetëm kështu ruhet dinjiteti i Kosovës si pjesë e pandashme e Europës dhe si përfaqësuese e vlerave europiane, ndër të cilat bëjnë pjesë respektimi i drejtësisë dhe kundërshtimi i padrejtësisë përmes mjeteve ligjore” – vazhdon ai.

Shehu ka bërë thirrje që të mos ketë veprime të dhunshme apo cenim të rendit, duke theksuar se një reagim i tillë do t’i shërbente Vuçiqit dhe kundërshtarëve të Kosovës.

Ai tha se drejtësia duhet të kërkohet në mënyrë demokratike, përmes protestave paqësore, fjalës së lirë dhe mjeteve ligjore.

“Nuk ka vend për asnjë veprim të dhunshëm apo cenim të rendit. Çdo veprim i tillë do të ishte i pafalshëm, sepse do t’i jepte Vuçiqit pikërisht atë që kërkon: mundësinë për ta paraqitur Kosovën si të barabartë me Serbinë në raport me drejtësinë ndërkombëtare dhe krimet e luftës.

Ne do të vazhdojmë ta kërkojmë drejtësinë me vendosmëri, në mënyrë demokratike dhe me të gjitha mjetet ligjore, nëse ajo do të mungojë në gjykimin e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së. Protesta paqësore, fjala e lirë dhe kritika e argumentuar janë të drejta të patjetërsueshme; dhuna dhe provokimi do t’i shërbenin vetëm Vuçiqit dhe kundërshtarëve të Kosovës” – përmbylli ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme