Në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, presidenti serb Aleksandar Vuçiq paralajmëroi rritje të investimeve ushtarake, duke deklaruar se aleanca ushtarake mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë e rrezikon Serbinë. Ai shtoi se 30-40% e prodhimit ushtarak të Serbisë do t’i dedikohet qëllimeve kombëtare.
Këtij paralajmërimi, Vuçiqi i është përgjigjur ministri kroat i mbrojtjes, Ivan Anushiq, i cili theksoi se bashkëpunimi është legjitim dhe mbrojtës.
“Deklaratën që nënshkruam vitin e kaluar po e zbatojmë, po punojmë së bashku, po krijojmë aktivitete të përbashkëta dhe mbështetje teknike për industrinë e mbrojtjes dhe bashkëpunimin e forcave tona të armatosura. Në atë deklaratë nuk ka absolutisht asgjë të diskutueshme dhe, sigurisht, nuk po kërcënojmë askënd me të. Duhet ta theksoj këtë sepse, siç duket, është tema numër një në mediat rajonale. Kemi plane të reja, takime të reja dhe aktivitete të reja edhe këtë vit”, deklaroi ministri kroat i mbrojtjes.
Ekspertët vlerësojnë se kjo aleancë legjitime mbrojtëse jo vetëm forcon kapacitetet e këtyre shteteve, por edhe pengon planet agresive të Serbisë dhe projektin e “Serbisë së Madhe”, duke kontribuar në paqe dhe stabilitet në Ballkan.
Racaj: Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri-Kroaci nuk është kërcënim për Serbinë!
Gjeneral Major, Prof. Dr. Muhamet Racaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se deklaratat e Vuçiqit për bashkëpunimin ushtarak ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë si “kërcënim” janë pjesë e një strategjie politike dhe propagandistike, jo reagim emocional.
Sipas tij, ky bashkëpunim është mbrojtës, legjitim dhe në përputhje me standardet euroatlantike, duke kontribuar në stabilitetin rajonal, siç konfirmoi ministri kroat i mbrojtjes Ivan Anushiq.

Gjeneral Major, Prof. Dr. Muhamet Racaj
“Deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili bashkëpunimin ushtarak ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë e cilësoi si kërcënim të drejtpërdrejtë për Serbinë, nuk janë të rastësishme dhe as thjesht reagim emocional. Ato janë pjesë e një strategjie të mirëllogaritur politike dhe propagandistike, që synon të prodhojë perceptim kërcënimi aty ku në fakt kemi të bëjmë me bashkëpunim legjitim mbrojtës ndërmjet shteteve sovrane.
Në realitet, bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nuk është ofensiv, por mbrojtës dhe plotësisht në përputhje me standardet euroatlantike. Kjo u konfirmua qartë edhe nga ministri kroat i mbrojtjes Ivan Anushiq gjatë takimeve në kuadër të Munich Security Conference, ku u theksua se ky bashkëpunim nuk cenon askënd, por kontribuon në stabilitetin rajonal”, ka thënë ai.
Po ashtu, Racaj ka treguar se pse se Serbia paraqet bashkëpunimin ushtarak Kosovë-Shqipëri-Kroaci si kërcënim për tre arsye kryesore.
“Arsyeja pse Serbia e paraqet këtë bashkëpunim si kërcënim lidhet me tri objektiva strategjike kryesore:
Së pari, Serbia synon të viktimizohet në arenën ndërkombëtare, duke ndërtuar narrativën se është e “rrethuar”, në mënyrë që të justifikojë rritjen e kapaciteteve të saj ushtarake dhe lidhjet e saj me aktorë jo-perëndimorë.
Së dyti, kjo retorikë ka funksion të brendshëm politik. Duke prodhuar një ndjenjë kërcënimi të jashtëm, udhëheqja serbe synon të mobilizojë opinionin publik dhe të forcojë pozitat e saj politike të brendshme.
Së treti, Serbia synon të pengojë konsolidimin e arkitekturës së përbashkët mbrojtëse shqiptare dhe rajonale, sepse një bashkëpunim i tillë e kufizon hapësirën e saj për ndikim dhe për projeksion të fuqisë në rajon”, ka shtuar ai.
Më tej, Racaj ka vlerësuar se reagimi i Vuçiqit tregon pasiguri strategjike, jo kërcënim real.
Sipas tij, bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri-Kroaci është i nevojshëm për paqe dhe stabilitet në Ballkan, dhe forca e këtij bashkëpunimi zvogëlon mundësinë e tensioneve.
“Në thelb, reagimi i Vuçiqit është tregues i një pasigurie strategjike, jo i një kërcënimi real. Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë përfaqëson një zhvillim normal dhe të domosdoshëm në funksion të paqes, stabilitetit dhe parandalimit të çdo aventure destabilizuese në Ballkan.
Sa më i fortë të jetë bashkëpunimi mbrojtës ndërmjet këtyre shteteve dhe strukturave euroatlantike, aq më i sigurt do të jetë rajoni dhe aq më e vogël do të jetë mundësia për tensione dhe destabilizim. Në këtë kontekst, deklaratat alarmiste të Serbisë janë më shumë instrument politik sesa reflektim i një realiteti të sigurisë”, ka përmbyllur Racaj.
Maraj paralajmëron: Serbia po përgatit projekte agresive në Gadishullin Ilirik
Kurse, Profesori Milazim Maraj ka thënë senë konferencën e sigurisë në Munih kryeministri Kurti e kritikoi Aleksandar Vuçiqin për rritjen e armatimit dhe projektin e “Serbisë së Madhe” me mbështetje të Rusisë, Bjellorusisë, Iranit dhe Kinës.

Milazim Maraj
“Në Munih të Gjermanisë i mbajt konferenca ndërkombëtare për siguri. Në këtë konferencë morën pjesë shumë udhëheqës politik, ekspert të sigurisë dhe autoritete ushtarake nga Evropa dhe bota. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe Kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti. Konferenca kishte për qellim gjendjen e sigurisë në botë dhe në veçanti në Evropë. Përveç të tjerëve në këtë konferencë mori pjesë edhe Presidenti kriminel Aleksander Vuçiq i cili që përfaqësonte shtetin kriminal që është burim i fatkeqësive dhe luftërave në Gadishullin Ilirik dhe në Botë. Ky si zakonisht në stilin e kukuvajkës u shpreh së Serbia është në rrezik nga aleanca ushtarake Kosovë-Kroaci-Shqipëri. Njëkohësisht ai u deklarua së Serbia do të ndaj më shumë buxhet për armatim nga se sipas tij ajo është në rrezik nga kjo aleancë. Për blerja e 12 aeroplanëve luftarak nga Franca ishte para kësaj aleance. Që do të thotë se armatosja e Serbisë behët për projektin e Serbisë së madhe që do të thotë Botës ruse. Në këtë projekt ajo ka bashkëpunim intensiv me Rusinë, Bjellorusinë, Iranin dhe Kinën”, ka theksuar ai.
Gjithashtu, Maraj ka potencuar se Serbia, përveç armatosjes dhe ligjit për shërbim ushtarak të detyrueshëm, po përgatit trupa sabotuese me ndihmën e Rusisë dhe Bjellorusisë.
Ai ka akuzuar Serbinë për manipulim të informacionit dhe për përdorim të situatës për të paraqitur veten si viktimë në konferenca ndërkombëtare.
“Serbia përveç armatosjes dhe ndryshimit të ligjit për shërbim ushtarak të detyrueshëm; për këtë projekt punon në përgatitjen e trupave sabotuese dhe diversantë nga shtetet e ndryshme që u zunë para disa muajsh. Ndërsa tani ekspertet rus në Serbi kanë përgatitur një kompani prej 150 trupash për aktivitete të ndryshme agresive në këtë gadishull. Para dy ditësh nga PK u zunë një grup prej dy personave rus, një bjellorus dhe një shqiptarë që në Kosovë kishin hyrë ilegalisht. Në javën që shkojë organet serbe deklaruan së gjëja në një fshat afër Kurshumlisë. policia e serbe qenka sulmuar nga një grup i armatosur dhe që paskan shkrep 100 plumba në drejtim të tyre. Por nuk ka të plagosur nga asnjëra palë por që paskan ikur në drejtim të Kosovë. Kjo gënjeshtër në një tubim të tillë i nevojitej që të mos shtrohej çështja e sulmit nga Serbia në Banjskë ky mbetën të vrarë një oficer i Policisë së Kosovës, një tjetër u plagua dhe se paku u vranë tre nga terroristet që Serbia i shpalli heroi, ndërsa kriminelet tjerë bashkë më komandantin e tyre Radoçiq, e mbanë të mbrojtur. Një qellim tjetër i Serbisë është që në këtë konferencë ndërkombëtare të paraqes situatën e tensionuar dhe të rrezikshme për Serbinë në këtë kohë kur; Policia e Kosovës për çdo ditë gjënë amë dhe mjetet tjera luftarake në shtëpitë e pabanuara në veri të Kosovës”, ka nënvizuar ai.
Në fund, Maraj ka vlerësuar se koalicioni ushtarak Kosovë-Shqipëri-Kroaci nuk kërcënon qytetarët serb, por pengon planet agresive të Serbisë dhe projektin e “Serbisë së Madhe” me mbështetje ruse.
Ai ka nënvizuar se Kosova armatoset sipas standardeve të NATO-s dhe FSK-ja është e gatshme për përgjegjësi të reja, ndërsa bashkëpunimi Kosovë-Kroaci-Serbi në mbrojtje nuk mund të pengohet nga Serbia apo Rusia.
“Njëkohësisht kur veprimin diversant në kanalin Iber-Lepenc janë konstatuar nga ekspert ndërkombëtarë që ka ardhur nga Serbia. Koaliciaoni ushtarak Kosovë-Shqipëri – Kroaci nuk paraqet rrezik për Serbin dhe qytetarët serb por është i rrezikshëm për planet agresive serbe në këtë Gadishull dhe në Evropë. Paraqet rrezik për planin për Serbinë e Madhe dhe Botën ruse. Për të cilën Vuçiq punon bashkë me garniturën e vet kriminale. Dodik deklarohet haptas që do ta kthejnë ushtrinë në Sarajevë, ndërsa në Nish ndëshkohet mësuesi që e ka fshi slogani “Kur ushtria do të kthehet në Kosovë. Nën presionin e shtetit serb LS në Kosovë nuk guxojnë ta nënshkruajnë betimin si deputet të Parlamentit të Kosovës edhe pse e kanë bërë para flamurit të Kosovës. Përkundër kësaj Kosova-Kroacia dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim në planin e mbrojtjes. Kjo më nuk mund të kontrollohet dhe as të pengohet nga Serbia apo Rusia. Shqipëria dhe Kroacia janë anëtarë të NATO-s ndërsa në Kosovë qëndron i gatshëm Bonstilli. FSK në çdo trajnim merr medalje të arta. Armatoset në bazë të standardeve të NATO-s. Ekspertet ushtarak të shteteve të anëtarësuara në NATO konsiderojnë se ushtria e Kosovës është e gatshme të merr përgjegjësi të reja”, ka përfunduar Maraj.
