Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka shprehur mbështetje të plotë për amendamentet kushtetuese që presidentja Vjosa Osmani i ka dërguar të enjten në Kuvendin e Kosovës.
Këto amendamente synojnë që presidenti i vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët përmes votës.
Nagavci u ka bërë thirrje deputetëve që t’i mbështesin dhe t’i votojnë këto ndryshime, duke theksuar se ato janë në interes të demokracisë dhe qytetarëve të vendit.
Sipas saj, miratimi i amendamenteve do të ndihmonte në forcimin e stabilitetit institucional dhe në rritjen e legjitimitetit demokratik të institucionit të presidentit.
“Votimi i këtyre amendamenteve do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit institucional dhe në rritjen e legjitimitetit demokratik të institucionit të Presidentit. Ftoj të gjithë deputetët e partive politike që të mbështesin dhe të votojnë këto amendamente kushtetuese në interes të qytetarëve dhe të demokracisë në vend”, ka shkruar ajo në Facebook.
Osmani i ka dorëzuar në Kuvend amendamentet kushtetuese që parashohin zgjedhjen e presidentit me votë të drejtpërdrejtë nga populli. Këto propozime për ndryshime kushtetuese kanë mbetur në pritje që nga viti 2011. /teve1.info/
