Regjisori i njohur gjerman, Werner Herzog, ka befasuar publikun duke zbuluar se, pavarësisht se ka mbi 553 mijë ndjekës në Instagram, ai vetë nuk përdor një telefon celular. “Pjesën teknike e menaxhon djali im.
Unë ia dërgoj përmbajtjen me email,” tha 83-vjeçari për agjencinë gjermane dpa. Herzog shpjegoi me humor se “gjithçka e rëndësishme i vjen ende në mendje” dhe se telefonin e merr hua vetëm në raste të rralla, kur i nevojitet për punë.
Në profilin e tij në Instagram, që menaxhohet prej vetëm disa muajsh, shfaqen pamje nga puna e tij si regjisor, përfshirë skena nga filmi i ri “Elefantët Fantazmë”, por edhe momente personale si përgatitja e një bifteku apo festa me muzikantë mariaçi.
Herzog, një prej regjisorëve gjermanë me famë botërore, është përfshirë së fundmi edhe në projekte të realitetit virtual dhe madje ka marrë një rol në një film të animuar.
Ai pritej të nderohej me Çmimin e Filmit në Festivalin e Filmit në Këln, ku u shfaq edhe filmi i tij më i fundit që portretizon një biolog në kërkim të një tufe elefantësh të rrallë në malet e Angolës.
