Vrasja e rëndë e 49-vjeçares Arlinda Sylaj Zekaj në Pejë, e cila dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj, ka tronditur opinionin publik.
Përtej këtij krimi të rëndë, rasti ka rikthyer në vëmendje edhe raportimet për dhunë në familje dhe kërkesat për ndihmë që viktima dyshohet se kishte bërë para se të humbiste jetën.
Mes reagimeve të shumta për këtë ngjarje, vëmendje kanë tërhequr edhe reagimet e këngëtarit të njohur, Yll Limani, i cili përmes katër postimeve në InstaStory ka shprehur dhimbjen dhe zemërimin e tij për rastin, duke ngritur shqetësimin për përgjegjësinë e institucioneve.
Artisti fillimisht ka ndarë lajmin për vrasjen e Arlindës, duke rikujtuar se ajo kishte raportuar dhunën dhe kishte kërkuar ndihmë para se të vritej.

Më pas, Ylli ka publikuar edhe letrën që Arlinda dyshohet se ia kishte dërguar Prokurorisë vetëm tre ditë para vrasjes.

Në të, ajo kishte shprehur frikën për jetën e saj dhe kishte paralajmëruar për pasojat e mundshme të mosveprimit institucional.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, thuhet në letrën e publikuar nga këngëtari.
Fjalët e saj kanë prekur thellë artistin, i cili ka theksuar se është e vështirë të lexohen pa ndier dhimbje dhe zemërim, sidomos kur bëhet fjalë për një grua që kishte shprehur me shkrim frikën për jetën e saj, kishte raportuar dhunën dhe kishte kërkuar mbrojtje.

Në reagimet e tij, Yll Limani ka kërkuar që rasti të mos harrohet dhe që secili zyrtar për të cilin vërtetohet se ka dështuar në përmbushjen e detyrave të tij të mbajë përgjegjësi.

Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së menjëhershme të çdo gruaje që raporton dhunë, për aq kohë sa vazhdon të jetë e rrezikuar.
Në fund, këngëtari ka shprehur dhimbjen për humbjen e Arlindës dhe ka dërguar ngushëllimet e tij për familjen e saj.
“Jom i pikëllum dhe i revoltum që sot po i lexojmë fjalët e Arlindës tu e dit që ajo s’osht ma. Ngushëllime familjes. Arlinda e meritonte me e vazhdu jetën e saj 💔”, ka shkruar Yll Limani.
