Lajme

Ymeri: Kosova pa rezerva strategjike të naftës, çmimet nuk kontrollohen si duhet

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka ngritur shqetësime lidhur me gjendjen në tregun e naftës në vend, duke theksuar mungesën e mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për kontrollin e çmimeve.

Sipas saj, ligji për tregtinë e naftës dhe udhëzimet administrative nuk i obligojnë operatorët që të mbajnë rezerva, gjë që, sipas Ymerit, lejon që çmimet të ndryshojnë menjëherë në bazë të zhvillimeve apo lajmeve në treg.

Ajo ka theksuar se Kosova vazhdon të mos ketë as ligj dhe as rezerva strategjike të naftës, duke e renditur vendin ndër të paktët në rajon me këtë mungesë.

Deputetja e LDK-së ka kritikuar edhe mungesën e kontrollit mbi marzhat e fitimit, duke thënë se sistemi i shitjes së naftës nuk është i digjitalizuar dhe nuk është i integruar, çka e bën të vështirë monitorimin nga inspektorët.

Po ashtu, ajo ka vënë në pah se Autoriteti i Konkurrencës nuk po funksionon në mënyrë efektive, duke e cilësuar si një institucion me probleme të shumta, që sipas saj nuk arrin të mbikëqyrë tregun siç duhet.

Ymeri ka shtuar se ligji për çmimet tavan për produktet bazë nuk përfshin kontrollin e çmimit të naftës, ndërsa ka kritikuar Qeverinë për mosheqjen e TVSh-së dhe akcizës, duke thënë se kjo lidhet me varësinë e buxhetit nga të hyrat doganore.

“Për ndihmë, pompat në fshatra edhe rrethinë të qyteteve kanë naftën ma lirë.
Vetëm dje në rrugën Prishtinë Ferizaj çmimi ka dallu 6-7 cent nga pompat në magjistrale edhe ato në qendër”, ka shkruar ajo në Facebook.

Të Ngjashme