Jetëgjatësia nuk ka të bëjë vetëm me sa vite jetojmë, por me sa vite i kalojmë në shëndet të mirë, pa sëmundje kronike apo paaftësi të lidhura me moshën.
Sipas Emily Johnston, profesoreshë kërkimore në NYU Langone dhe specialiste e plakjes së shëndetshme, rritja e viteve të shëndetshme nuk kërkon truke të komplikuara, por zakone të thjeshta të përditshme.
Këshilla e ditës për jetëgjatësi: Një gotë ujë sapo zgjoheni
“Filloni çdo ditë pa përjashtim me të paktën një gotë ujë”, tha Johnston për TODAY.
Para kafesë, çajit apo çdo pijeje tjetër, pini një gotë të plotë ujë. “Duhet të jetë gjëja e parë që prekni në mëngjes,” thekson ajo. Ky veprim i thjeshtë ndihmon në nisjen e hidratimit për ditën, përpara pijeve me kafeinë apo sheqer.
“Hidratimi është ndoshta më pak i vlerësuar sesa duhet,” shton Johnston.
Pse është kaq i rëndësishëm uji?
Uji është thelbësor për funksionimin e trupit: ndihmon në transportin e lëndëve ushqyese, largimin e mbetjeve, lubrifikimin e nyjeve dhe rregullimin e temperaturës trupore. Studime të ndryshme tregojnë se njerëzit që qëndrojnë të hidratuar plaken më ngadalë biologjikisht dhe zhvillojnë më pak sëmundje kronike.
Megjithatë, me kalimin e moshës bëhet më e vështirë të pimë mjaftueshëm ujë. “Ndjenja e etjes zbehet dhe shumë të rritur nuk arrijnë sasinë minimale të rekomanduar,” shpjegon Johnston.
Mesatarisht, një person ka nevojë për rreth 2.7–3.7 litra lëngje në ditë nga pijet dhe ushqimi, ku të paktën dy litra duhet të jenë ujë. Kjo përkthehet në rreth gjashtë deri në tetë gota ujë në ditë, ndërsa personat aktivë ose ata që jetojnë në klima të nxehta mund të kenë nevojë për më shumë.
Sipas të dhënave, rreth 75% e amerikanëve janë kronikisht të dehidratuar. Dehidratimi mund të shkaktojë lodhje, marramendje dhe dhimbje koke, ndërsa në afat të gjatë rrit rrezikun për probleme me veshkat dhe komplikacione serioze, sipas Mayo Clinic.
Si ta ktheni në zakon?
Nuk është kurrë herët apo vonë për të adoptuar zakone që mbështesin plakjen e shëndetshme. Vendosni një gotë ose shishe me të paktën 250 ml ujë pranë shtratit dhe pijeni sapo të zgjoheni. Më pas, kujdesuni të vazhdoni hidratimin gjatë gjithë ditës.
Rreth 20% e lëngjeve merren edhe nga ushqimi, ndaj frutat dhe perimet e pasura me ujë janë një ndihmë shtesë e shkëlqyer.
Një gotë ujë në mëngjes mund të duket e vogël, por për shëndetin afatgjatë, është një hap i madh.
