Detaje të reja janë zbardhur nga mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku kryeministri Edi Rama u ka kërkuar deputetëve të përqendrojnë komunikimin publik te politikat sociale dhe paketa e strehimit, ndërsa ka konfirmuar masa shtrënguese kundër vandalizmit.
Kreu i qeverisë bëri me dije se në projektbuxhetin e vitit 2027, i cili pritet të miratohet brenda kësaj jave në kabinetin qeveritar, do të përfshihen fonde të posaçme për dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara gjatë protestave të ditëve të fundit. Rama theksoi se aktet e dëmtimit të pronës publike e private nuk do të tolerohen më.
Për më tepër, gjatë takimit u diskutua edhe për rishikimin e ligjit për tubimet të miratuar në vitin 2001. Duke qenë se ndërhyrja e propozuar përmban vetëm një ndryshim specifik ligjor, mazhoranca po shqyrton mundësinë e kalimit të kësaj nisme me procedurë të përshpejtuar parlamentare.
Nisma do të miratohet fillimisht me akt normativ nga Këshilli i Ministrave dhe më pas do t’i dërgohet Kuvendit për miratim.
Procesi është iniciuar nga Edi Rama dhe do të ndiqet përmes procedurave përkatëse përpara se akti të shqyrtohet nga parlamenti.
